Zjarr i madh në Radhimë, digjet një lokal, flakët i afrohen tre hoteleve në zonë

Në pak minuta, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke krijuar rrezik për përhapje edhe në bizneset dhe ndërtesat përreth. Flakët janë përhapur me shpejtësi dhe po rrezikojnë disa struktura turistike, mes tyre edhe tre hotele që ndodhen pranë vendit ku ka rënë zjarri.

08.05.2026. 22:03

Zjarr i madh në Radhimë, digjet një lokal, flakët i afrohen tre hoteleve në zonë

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer mbrëmjen e kësaj të premteje në zonën turistike të Radhimës, në Vlorë, duke shkaktuar alarm te banorët dhe bizneset e zonës.

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë fillimisht një godinë të ndërtuar me material drusor, e cila përdorej gjatë sezonit veror për aktivitete turistike dhe shërbim për pushuesit.

Në pak minuta, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke krijuar rrezik për përhapje edhe në bizneset dhe ndërtesat përreth. Flakët janë përhapur me shpejtësi dhe po rrezikojnë disa struktura turistike, mes tyre edhe tre hotele që ndodhen pranë vendit ku ka rënë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, drejt zonës janë nisur forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e policisë. Dy mjete zjarrfikëse po punojnë për izolimin e flakëve dhe vënien nën kontroll të situatës, ndërsa po bëhet edhe sigurimi i banorëve dhe turistëve në afërsi të zonës së rrezikuar.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale pritet të jenë të konsiderueshme. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, por paraprakisht dyshohet se ai mund të jetë shkaktuar nga një defekt elektrik ose faktorë të tjerë aksidentalë. Grupi hetimor pritet të zbardhë rrethanat e plota të ngjarjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)