Armëpushim 3-ditor mes Rusisë dhe Ukrainës, Trump: Shpresoj të nisë fundin e luftës

Në deklaratën e tij, Trump shprehu shpresën se kjo marrëveshje mund të shërbejë si një hap drejt përfundimit të luftës.

08.05.2026. 22:44

Armëpushim 3-ditor mes Rusisë dhe Ukrainës, Trump: Shpresoj të nisë fundin e luftës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump ka njoftuar arritjen e një armëpushimi treditor në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, që do të zgjasë nga 9 deri më 11 maj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Trump sqaron, gjatë këtyre tre ditëve do të pezullohen të gjitha operacionet ushtarake, ndërsa palët kanë rënë gjithashtu dakord për një shkëmbim të madh të të burgosurve, me 1.000 persona nga secila anë.

Trump theksoi se marrëveshja është arritur pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga ana e tij dhe se ajo është pranuar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Ai e lidhi këtë periudhë armëpushimi edhe me përkujtimet e Ditës së Fitores në Rusi, duke shtuar se edhe Ukraina ka qenë pjesë e rëndësishme e Luftës së Dytë Botërore.

Në deklaratën e tij, Trump shprehu shpresën se kjo marrëveshje mund të shërbejë si një hap drejt përfundimit të luftës, të cilën ai e cilësoi si një nga konfliktet më të rënda që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas tij, negociatat për përfundimin e konfliktit po vijojnë dhe palët janë gjithnjë e më afër një zgjidhjeje.

“Jam i kënaqur të njoftoj se do të ketë një armëpushim tre-ditor (9, 10 dhe 11 maj) në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Festimet në Rusi janë për Ditën e Fitores, por gjithashtu edhe në Ukrainë, sepse ata ishin gjithashtu një pjesë dhe faktor i madh në Luftën e Dytë Botërore. Ky armëpushim do të përfshijë pezullimin e të gjitha aktiviteteve luftarake, si dhe një shkëmbim të burgosurish prej 1.000 personash nga secili vend.

Kjo kërkesë është bërë drejtpërdrejt nga unë dhe e vlerësoj shumë pranimin e saj nga Presidenti Vladimir Putin dhe Presidenti Volodymyr Zelenskyy. Shpresoj që kjo të jetë fillimi i fundit të një lufte shumë të gjatë, të përgjakshme dhe të vështirë. Bisedimet po vazhdojnë për përfundimin e këtij konflikti të madh, më i madhi që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe po i afrohemi gjithnjë e më shumë çdo ditë. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje”, shkruan Trump.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)