Kryenegociatorja e Shqipërisë për integrimin europian, Majlinda Dhuka prezantoi një bilanc të procesit të negociatave me Bashkimin Europian për vitin 2025 dhe katër muajt e parë të vitit 2026.
Gjatë raportimit, ajo u ndal në ecurinë e Shqipërisë në fusha kyçe si shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të drejtat e njeriut. Sipas saj, vendi ndodhet tashmë në një fazë intensive përgatitjesh teknike për mbylljen e negociatave me BE.
Dhuka bëri të ditur se puna po zhvillohet paralelisht në të 31 kapitujt negociues, ndërsa për 10 prej tyre është hyrë në një fazë më të avancuar. Ajo tha se për 3 kapituj janë përmbushur kushtet teknike dhe po pritet vlerësimi nga institucionet evropiane.
“Po diskutohen kushtet për kapitujt drejtësia dhe siguria. Shqipëria pret me interes të lartë përfundimin e diskutimeve me vendet anëtare. Kjo do t’i jepte vendit dritën jeshile për t’u futur formalisht në fazën e mbylljes së negociatave. Kemi hartuar 31 draftplane pune në të cilat janë zbërthyer planet e veprimit për 600 nisma evropiane që në disa raste janë nisma ose ndryshime ligjore.
Për 3 nga këto kapituj mendojmë se i kemi përmbushur teknikisht të gjitha kushtet. Jemi në pritje të vlerësimit nga ana e tyre, por në fazë të avancuar janë edhe 7 kapituj. Konkretisht kemi përfunduar punën për marrëdhëniet me jashtë, kërkimin shkencor, kulturën dhe arsimin, kurse në të tjerët vijon puna. Do të paraqiten rreth 8 paketa të rëndësishme ligjore për shqyrtim në Kuvend”, tha Dhuka.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)