Pamja që përmblidhte pasditen në “Santiago Bernabeu” dhe momentin delikat që po kalon Real Madrid, janë lotët e Vinicius Junior. Pavarësisht fitores 2-0 ndaj Levantes, sulmuesi brazilian u largua nga fusha i tronditur emocionalisht, duke u shndërruar në simbol të tensionit që mbizotëron aktualisht në skuadër.
Pas humbjes në finalen e Superkupës ndaj Barcelonës dhe, mbi të gjitha, eliminimit befasues në Kupën e Mbretit nga skuadra e kategorisë së dytë, Albacete, klima në Madrid është tejet e tensionuar. Pakënaqësia e tifozëve ndaj lojtarëve dhe drejtuesve u kuptua prej momentit të anonçimit të formacioneve.
Emrat e futbollistëve u shoqëruan nga fishkëllima të forta dhe valëvitja e shamive të bardha në tribuna, simboli tradicional i protestës në “Bernabeu”. Të zhgënjyer nga menaxhimi i situatave dhe shkarkimi i trajnerit Xabi Alonso, tifozët kishin në shënjestër presidentin Florentino Perez, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Pakënaqësi kishte edhe për yjet e ekipit, Jude Bellingham dhe Vinicius Junior, duke i fishkëllyer në çdo prekje të topit.
Sjellja e publikut preku veçanërisht sulmuesin brazilian. Pas fitores së katërt radhazi në kampionat, Vinicius u drejtua menjëherë drejt dhomave të zhveshjes, pa përshëndetur tifozët së bashku me shokët e skuadrës. Kamerat e kapën atë të ulur në shkallët e tunelit, me fytyrën në duar dhe në lot, ndërsa Kylian Mbappé dhe përgatitësi atletik Antonio Pintus përpiqeshin ta ngushëllonin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)