Shqipëria përgatitet për një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, teksa më 26 mars do të përballet me Poloninë në Varshavë, në kuadër të play-off-it për një vend në Kupën e Botës.
Në prag të kësaj sfide, trajneri Sylvinho doli në konferencë për shtyp, ku komentoi listën e lojtarëve dhe situatën e ekipit. Tekniku brazilian u ndal te mungesat e rëndësishme, por theksoi se skuadra duhet të fokusohet te zgjidhjet që ka në dispozicion.
“Unë nuk kam qejf të qaj ose të ankohem. Duhet të përshtatemi me situatën dhe të shohim përpara”, u shpreh ai.
Sylvinho vlerësoi kontributin e Rey Manajt, por pranoi se mungesa e tij ndihet, ndërsa theksoi se ka alternativa në repartin ofensiv. Ai përmendi edhe gjendjen e Dakut, i cili ka qenë jashtë për shkak dëmtimi.
Një pjesë e rëndësishme e konferencës ishte edhe rikthimi i Ernest Muçit dhe Anis Mehmetit, me trajnerin që sqaroi rolet e tyre në ekip. “Muçin e shoh si sulmues, është lojtar që shënon dhe ka tipare ofensive. Mehmeti është më shumë sulmues krahu, por të dy dinë të gjejnë portën.”
Duke qenë se skuadra nuk ka një “pykë” klasike në dispozicion, Sylvinho theksoi nevojën për fleksibilitet taktik. “Kur nuk ke një numër 9 tipik, duhet të përshtatesh. Kemi lojtarë si Uzuni, Bajrami apo Mehmeti që mund të japin zgjidhje.”
Në lidhje me përbërjen e skuadrës dhe zgjedhjet e bëra, Sylvinho sqaroi se nuk bëhet fjalë për eksperimente.
“Ky nuk është një eksperiment. Kam marrë 26 lojtarë për të parë gjendjen e tyre dhe për të bërë zgjedhjet më të mira.”
Trajneri foli edhe për dy risitë në listë, Pllanën dhe Pilon, duke theksuar se ata janë ndjekur prej kohësh nga stafi Teknik.
“Kemi kohë që i monitorojmë. Tani është momenti i tyre, do t’i vlerësojmë në stërvitje.”
Sa i përket kundërshtarit, trajneri vlerësoi formën e Polonisë dhe përmirësimin e saj.
“Polonia është një ekip i fortë fizikisht, mbrohet mirë dhe është e rrezikshme në kundërsulm. Ka ngjashmëri me Serbinë.”
Në fund, Sylvinho theksoi progresin e Shqipërisë në vitet e fundit dhe besimin për të arritur një tjetër sukses historik.
“Kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur. Shkuam në Euro 2024 dhe tani kemi shpresë për Kupën e Botës. Kemi lojtarë me shumë cilësi dhe besim te grupi.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)