Ferrari ka prezantuar zyrtarisht “Luce”, supermakinën e parë 100% elektrike në historinë e kompanisë nga Maranello. Modeli i ri luksoz kushton rreth 550 mijë euro dhe ka ndezur menjëherë debate të forta mes tifozëve, ekspertëve të automobilizmit dhe figurave historike të markës italiane. Reagimi më i ashpër erdhi nga ish-presidenti legjendar i Ferrarit, Luca Cordero di Montezemolo, i cili kritikoi rëndë projektin e ri elektrik.
Debat i madh për identitetin
Deklaratat e Montezemolo-s pasqyrojnë pakënaqësinë e një pjese të tifozëve tradicionalistë, të cilët e konsiderojnë motorin elektrik si mohim të identitetit historik të Ferrarit, të lidhur prej dekadash me tingullin karakteristik të motorëve V8 dhe V12. Kritikave iu bashkua edhe politikani italian Carlo Calenda, i cili e quajti Ferrari Luce “një fyerje estetike dhe teknologjike për këdo që e do Ferrarin”.
1000 kuaj fuqi e 530 km autonomi
Pavarësisht polemikave, Ferrari Luce sjell një revolucion teknologjik për markën italiane. Supermakina elektrike është e pajisur me katër motorë elektrikë, nga një për secilën rrotë, duke prodhuar rreth 1000 kuaj fuqi. Makina arrin shpejtësinë 0-100 km/h për vetëm 2.5 sekonda, ndërsa 0-200 km/h për 6.8 sekonda, me një shpejtësi maksimale prej 310 km/h. Autonomia e deklaruar është rreth 530 kilometra.
Një nga risitë më të veçanta është sistemi i zërit. Ferrari ka refuzuar të përdorë tinguj artificialë që imitojnë motorët klasikë. Në vend të tyre, makina përdor një sistem audio me 21 altoparlantë dhe 3000 watt fuqi, që amplifikon vibracionet reale mekanike të automjetit për të krijuar një eksperiencë më autentike për shoferin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)