Prodhuesi italian i makinave sportive luksoze, Ferrari, ka prezantuar makinën e tij të parë plotësisht elektrike, të quajtur Ferrari Luce, me një çmim që arrin 640 mijë dollarë.
Modeli i ri shënon një ndryshim të madh për markën ikonike italiane, pasi “Luce” është gjithashtu makina e parë me pesë vende e Ferrari-t. Automjeti është krijuar në bashkëpunim me agjencinë LoveFrom, e themeluar nga ish-drejtori i dizajnit të Apple, Jony Ive.
Prezantimi i makinës ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale. Disa kritikë e kanë cilësuar dizajnin si larg identitetit tradicional të Ferrarit, ndërsa të tjerë e kanë përshkruar si një “revolucion në dizajnin automobilistik”.
Sipas kompanisë, “Luce” është zhvilluar për 5 vite dhe përdor nga një motor elektrik të prodhuar nga Ferrari në secilën rrotë. Makina arrin shpejtësinë 0-96 km/h në rreth 2.5 sekonda, duke ruajtur performancën karakteristike të markës.
Ferrari theksoi se të gjithë komponentët prodhohen brenda kompanisë, gjë që do të mundësojë mirëmbajtjen dhe riparimin afatgjatë të automjetit, duke ruajtur edhe vlerën e tij në treg.
Ndërkohë, industria automobilistike po përballet me sfida në kalimin drejt makinave elektrike. Konkurrentë si Lamborghini dhe Porsche kanë reduktuar planet për automjete elektrike për shkak të kërkesës së ulët dhe konkurrencës së fortë nga prodhuesit kinezë.
Pavarësisht hyrjes në tregun elektrik, Ferrari ka bërë të ditur se do të vazhdojë të prodhojë edhe modele me benzinë dhe hibride.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)