Harta e Groenlandës e mbuluar me flamurin amerikan, e postuar në rrjet nga bashkëshortja e një bashkëpunëtori të ngushtë të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ka rindezur përplasjen mes Uashingtonit dhe Kopenhagës.
Ambasadori i Danimarkës në Shtetet e Bashkuara bëri thirrje të shtunën për "respekt absolut" për integritetin territorial të Groenlandës , pas një postimi në Tëitter nga gruaja e zv/shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, e cila publikoi foton e Groenlandës të pikturuar me ngjyrat e flamurit amerikan.
Katie Miller e shoqëroi fotografinë me një mbishkrim ku me shkronja kapitale thuhej: "SË SHPEJTI". Postimi i Miller në ‘X’ erdhi vetëm pak pas arrestimit të Presidentit Venezuelan Nicolas Maduro dhe gruas së tij nga trupat amerikane në një bastisje në Karakas.
"Një kujtesë miqësore për Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Danimarkës: ne jemi aleatë të ngushtë dhe duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku si të tillë", tha ambasadori danez në Shtetet e Bashkuara, Jesper Miller Sorensen, në përgjigje të postimit në Tëitter të Katie Miller. "Dhe po, ne presim respekt absolut për integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës", shkroi ai.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë disa herë gjatë viteve se Groenlanda, një territor danez me autonomi të gjerë, duhet të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, duke përmendur arsye sigurie dhe interes në burimet minerale të ishullit.
Groenlanda dhe Danimarka e kanë refuzuar idenë. Tensionet midis dy vendeve janë përshkallëzuar që kur Trump emëroi Guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special në Groenlandë në fund të dhjetorit.
Ndërkohë, operacioni i fundit i SHBA-ve në Venezuelë shihet nga ekspertët si një paralajmërim për aleatët e SHBA-së të shqetësuar për kërcënimet e Trump për të sekuestruar burimet strategjike, duke filluar me qëllimin e tij të deklaruar për të aneksuar Groenlandën.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)