Një gjuetar amerikan i thesareve është liruar nga burgu pas rreth një dekade, pasi refuzoi për vite me radhë të tregonte vendndodhjen e rreth 500 monedhave të arit të gjetura në një prej anijeve më të famshme të mbytura në histori.
Tommy Thompson u bë i njohur në vitin 1988 kur zbuloi një thesar me vlerë miliona dollarë nga rrënojat e anijes SS Central America, e njohur edhe si “Anija e Arit”, e cila ishte mbytur në vitin 1857 pranë brigjeve të Karolinës së Jugut në SHBA.
Kur u mbyt, anija transportonte rreth rreth 13 tonë ar të sapo prodhuar në San Francisko. Thesari po dërgohej drejt bregut lindor për të krijuar rezerva për bankat, por anija u fundos në një thellësi prej rreth 7 mijë metrash në oqean, duke marrë me vete 425 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit. Ngjarja kontribuoi edhe në panikun financiar të vitit 1857.
Në vitet ’80, 161 investitorë i dhanë Thompson rreth 12.7 milionë dollarë për të gjetur anijen, me premtimin se do të përfitonin nga shitja e thesarit. Megjithatë, ata e paditën në vitin 2005, duke pretenduar se nuk kishin marrë asnjë fitim.
Thompson u arratis në vitin 2012 dhe u arrestua në vitin 2015 në Florida. Ai u dënua për shpërfillje të gjykatës pasi refuzoi të tregonte se ku ndodheshin 500 monedhat e arit. Gjykata vendosi ta lirojë pasi gjyqtari arriti në përfundimin se ai nuk ka gjasa të zbulojë kurrë vendndodhjen e tyre.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)