Qeveria franceze ka hartuar një propozim diplomatik që synon t’i japë fund luftës në Liban, i cili parashikon që qeveria libaneze të njohë Izraelin. Lajmi është raportuar nga burime të informuara për zhvillimet dhe është publikuar nga Axios.
Sipas këtyre burimeve, qeveria e Libanit ka pranuar propozimin francez si bazë për nisjen e bisedimeve të paqes.
Plani i paraqitur nga Franca parashikon që Izraeli dhe Libani të hapin negociata me mbështetjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Francës për një “deklaratë politike”, e cila synohet të arrihet brenda një muaji.
Fillimisht, bisedimet do të zhvillohen në nivel të lartë diplomatik, ndërsa më pas pritet të kalojnë në nivelin më të lartë politik. Sipas burimeve, zyrtarët francezë dëshirojnë që negociatat të mbahen në Paris.
Draft-deklarata përfshin njohjen fillestare të Izraelit nga ana e Libanit, si dhe angazhimin e qeverisë libaneze për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Izraelit.
Gjithashtu, të dy vendet pritet të riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB‑së, e cila i dha fund Luftës Izrael‑Liban të vitit 2006, si dhe ndaj marrëveshjes së armëpushimit të arritur në vitin 2024.
Propozimi shihet si një përpjekje e re diplomatike për të ulur tensionet në rajon dhe për të shmangur një konflikt më të gjerë që mund të destabilizojë më tej Lindjen e Mesme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)