Panik në Uashington, dronët fluturojnë mbi bazën ushtarake ku jetojnë Rubio dhe Hegseth

Disa dronë u panë mbi bazën ushtrake 'Fort McNair' në një natë të vetme, gjë që nxiti masa të shtuara sigurie dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar se si të reagonin.

Burimi: The Washington Post

19.03.2026. 09:03

Panik në Uashington, dronët fluturojnë mbi bazën ushtarake ku jetojnë Rubio dhe Hegseth

Frikë dhe panik në Uashington teksa dronë të paidentifikuar u panë duke fluturuar mbi një bazë ushtarake të profilit të lartë në kulmin e luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Zyrtarët amerikanë zbuluan dronë të paidentifikuar mbi bazën Fort McNair, ku jetojnë Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, sipas një raporti nga The Washington Post.

Fort Lesley J McNair strehon Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare dhe disa nga zyrtarët më të lartë ushtarakë të Pentagonit. Kohët e fundit, një numër në rritje i zyrtarëve të Trump, përfshirë Sekretaren në largim të Departamentit të Sigurisë Kombëtare Kristi Noem, janë zhvendosur në bazat e zonës.

Baza ndodhet afërsisht 3.2 kilometra nga Shtëpia e Bardhë dhe Kapitol Hill në Uashington, DC, por thuhet se nuk ka të njëjtën zonë sigurie si bazat e tjera në rajonin e kryeqytetit.

Raporti bën me dije se disa dronë u panë mbi Fort McNair në një natë të vetme në 10 ditët e fundit, gjë që nxiti masa të shtuara sigurie dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar se si të reagonin.

Burimet i thanë medias amerikane se pasi u konstatuan dronët, zyrtarët diskutuan zhvendosjen e Rubios dhe Hegseth nga Fort McNair, pasi banesat e tyre në bazë u raportuan publikisht nga shumë media në tetor. Megjithatë, zyrtari i lartë i administratës tha se sekretarët nuk janë larguar ende nga shtëpitë e tyre.

Ende nuk është përcaktuar se nga kanë ardhur dronët, por duke pasur parasysh kërcënimin potencial, ushtria po monitoron më nga afër kërcënimet, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmojnë Iranin.

Administrata e Donald Trump nuk ka lëshuar ende asnjë deklaratë për këtë çështje. Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, gjithashtu nuk pranoi të diskutonte çështjen.

"Departamenti nuk mund të komentojë mbi lëvizjet e sekretarit për arsye sigurie, dhe raportimi mbi lëvizje të tilla është jashtëzakonisht i papërgjegjshëm", tha ai.

Shkelja e fundit e sigurisë në Uashington vjen disa ditë pasi SHBA-të lëshuan një alarm global sigurie për selitë e tyre diplomatike jashtë shtetit dhe bllokuan disa baza vendase për shkak të kërcënimeve.

Baza e Forcave Ajrore MacDill, ku ndodhet Komanda Qendrore e SHBA-së, e cila është përgjegjëse për operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit, u vu nën rrethim dy herë këtë javë për shkak të kërcënimeve të mundshme të sigurisë. FBI-ja thuhet se po heton një pako të dyshimtë që mbylli qendrën e vizitorëve të bazës për orë të tëra të hënën, dhe të mërkurën, në një incident të paspecifikuar sigurie që e la bazën nën një urdhër izolimi për orë të tëra.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)