Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të reduktojnë ndjeshëm kontributin e tyre ushtarak në NATO, raportoi revista gjermane “Der Spiegel”, duke iu referuar një takimi të zhvilluar me dyer të mbyllura në Bruksel. Sipas raportimit, përfaqësuesi i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth ka informuar aleatët për një plan që parashikon përgjysmimin e bombarduesve strategjikë dhe uljen me një të tretën të avionëve luftarakë amerikanë të vënë në dispozicion të Aleancës.
Raporti thekson se Uashingtoni synon gjithashtu të ndalojë ofrimin e nëndetëseve për NATO-n, si dhe të reduktojë ndjeshëm dronët e zbulimit dhe ata të armatosur. Megjithatë, SHBA-ja thuhet se ka garantuar se do të vazhdojë të mbajë të paprekur kapacitetin e parandalimit bërthamor në Europë. “Europianët duhet të marrin përsipër në masë të madhe mbrojtjen konvencionale të kontinentit”, citohet të jetë thënë gjatë takimit.
Zhvillimi vjen në një periudhë tensionesh të forta brenda NATO-s, ndërsa Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë për shpenzimet e pamjaftueshme ushtarake. Sipas “Der Spiegel”, vendet europiane pritej të përballeshin me kërkesa për rritje të angazhimit, por jo me shkurtime kaq të mëdha nga ana e SHBA-së. Uashingtoni synon të reduktojë përfshirjen në modelin “NATO Force Model”, i miratuar pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Sipas burimeve të revistës gjermane, aleatëve u është kërkuar të paraqesin deri në fillim të qershorit propozime konkrete mbi mënyrën se si do të mbushin boshllëqet e krijuara nga tërheqja amerikane. Zyrtarë ushtarakë kanë interpretuar mesazhin e administratës Trump si një presion të drejtpërdrejtë ndaj Europës për të marrë më shumë përgjegjësi në mbrojtjen e kontinentit, ndërsa SHBA-ja kërkon më shumë fleksibilitet për t’u përqendruar në rajonin Indo-Paqësor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)