Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rindezur tensionet me Danimarkën, pasi përsëriti publikisht se SHBA-ja “ka nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare”, vetëm një ditë pas emërimit të një të dërguari special amerikan për këtë territor autonom danez.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Palm Beach, Florida, Trump theksoi se interesimi i Uashingtonit për Groenlandën nuk lidhet me pasuritë minerare, por me çështje strategjike dhe ushtarake. “Na duhet Groenlanda për sigurinë kombëtare. Në brigjet e saj ka anije ruse dhe kineze. Duhet ta kemi”, deklaroi ai.
Të dielën, Trump emëroi guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special për Groenlandën, një veprim që shkaktoi reagime të ashpra në Kopenhagë. Landry deklaroi menjëherë se synimi i tij është që Groenlanda të bëhet “pjesë e SHBA-së”.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, reaguan me një deklaratë të përbashkët, duke theksuar se “Groenlanda i përket banorëve të saj” dhe se “askush nuk mund të aneksojë një vend tjetër”.
Ministri danez i Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen, e cilësoi emërimin “tërësisht të papranueshëm” dhe konfirmoi se ambasadori amerikan është thirrur për sqarime në Ministrinë e Jashtme. Bashkimi Europian shprehu solidaritet të plotë me Danimarkën, duke theksuar se sovraniteti dhe integriteti territorial janë parime themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Groenlanda, me rreth 57 mijë banorë, ka rëndësi të madhe strategjike për shkak të pozicionit të saj mes Amerikës së Veriut dhe Europës, si dhe për rezervat e pasura minerare dhe rrugët e reja detare që po hapen nga shkrirja e akullnajave.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)