Babai hero që shpëtoi 10 të rinj nga flakët në diskotekën në Zvicër

Një telefonatë nga e bija natën e ndërrimit të viteve bëri që 55-vjeçari, Paolo Campolo, të shndërrohej në heroin e tragjedisë së Crans-Montanës, duke shpëtuar të paktën 10 të rinj nga flakët që i morën jetën 40 personave.

Burimi: Il Messaggero

03.01.2026. 12:25

Babai hero që shpëtoi 10 të rinj nga flakët në diskotekën në Zvicër

Një telefonatë nga e bija natën e ndërrimit të viteve bëri që 55-vjeçari, Paolo Campolo, të shndërrohej në heroin e tragjedisë së Crans-Montanës, duke shpëtuar të paktën 10 të rinj nga flakët që i morën jetën 40 personave.

Campolo nga shtrati i spitalit foli për gazetën italiane Il Messaggero, duke shpjeguar se vonesa e vajzës së tij 17-vjeçare për numërimin mbrapsht të Vitit të Ri në barin ‘Le Constellation’ në Crans Montana rezultoi vendimtare në ndihmën e njerëzve të bllokuar në flakë.

Duke folur nga spitali i Sion, ku po trajtohet për probleme serioze të frymëmarrjes nga thithja e tymit, 55-vjecari rrëfeu se vajza e tij Paolina, e cila ndjek një shkollë të mesme në Gjenevë, por ishte në shtëpi për festat, do të takonte të dashurin e saj në klubin e natës që u përfshi nga flakët.

Por ajo mbërriti me vonesë, pasi kishte ndaluar më parë në shtëpinë e babait të saj "për të përshëndetur, për të ngritur një dolli së bashku dhe për të prerë panettone-n", tortën tradicionale italiane të festave.

"Ishte faji ynë që ajo u vonua: duhet të kishte qenë në klub deri në mesnatë. Sot mund ta them pa asnjë ekzagjerim, ajo vonesë i shpëtoi jetën", tha ai në intervistë.

Paolina nuk pati kohë të hynte në klubin e natës, ndryshe nga partneri i saj, i cili ndodhej aty tashmë. Ndërsa ai po e priste në hyrje, shpërtheu zjarri dhe rreth orës 1:20 të mëngjesit 17-vjeçarja thirri të atin për ndihmë. Ai, duke parë flakët nga shtëpia e tij, e cila është jo shumë larg klubit të natës, vrapoi drejt barit Le Constellation me fikësen e tij të zjarrit.

Duke kujtuar atë agim, Paolo tha: "Flakët nuk ishin më aq të forta, por kishte tym të dendur e të zi kudo. Zjarri ishte jashtëzakonisht i shpejtë dhe i dhunshëm, duke zgjatur vetëm disa minuta. Pastaj u ndal. Por brenda nuk kishte më oksigjen. Dhe kjo është ajo që shkaktoi tragjedinë".

Ai gjithashtu kujtoi se e kishte parë Paolinën jashtë ndërtesës, të palëvizur dhe "në gjendje shoku", duke pritur për të parë partnerin e saj të dilte nga kaosi.

“Ai ishte aty pas derës. Arriti të dilte para syve të saj. U shpëtua vetëm për disa sekonda, por tani është i shtruar në spital në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë në Bazel, me djegie të shumta”, tha Paolo. “Vajza ime u shpëtua falë një zinxhiri të pabesueshëm ngjarjesh. Nëse do të kishte ndodhur pak më herët ose pak më vonë, historia do të kishte qenë krejtësisht ndryshe.”

Ai shtoi se, në atë kohë, besonte se fikësja e zjarrit që kishte me vete “ishte e padobishme”, por u përpoq të ruante qetësinë derisa mbërritën forcat e para të shpëtimit.

"Arrita të hyja me forcë dhe arrita të shpëtoja dhjetë të rinj. Kishte shumë italianë atje... Përmes dritareve mund të shihja këmbë dhe krahë. Trupa të shtrirë në dysheme. Gjithë çfarë mund t'ju them është se disa trupa ranë mbi ne. Ishin të rinj, të gjallë por të djegur. Disa ishin të vetëdijshëm, disa jo. Ata po kërkonin ndihmë në gjuhë të ndryshme, përfshirë italishten. Ishin shumë të rinj. Ky lokal i veçantë ishte një pikë takimi në Crans Montana dhe vizitohej kryesisht nga të mitur. Përpara meje pashë shumë vajza të veshura me minifunde dhe bluza elegante, të cilat kishin pësuar djegie në lëkurë", tha ai.

Nga njerëzit që nxori, Paolo kujtoi se disa ishin të dehur dhe gjallë por të plagosur rëndë.

“Mund të kishin qenë fëmijët e mi”, thotë ai, se ishte mendimi që e mbajti gjallë dhe e shtyu t’i ndihmonte.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)