Zvicra gati të vendosë ligje dragoniane për fishekzjarrët pas tragjedisë në Crans Montana

Tragjedia në Crans Montana me 40 të vdekur e ka vënë plotësisht në pikëpyetje modelin zviceran të kontrolleve dhe po mobilizon qeverinë që të ndryshojë menjëherë ligjin për përdorimin e fishekzjarrëve dhe masat e sigurisë në qendrat e argëtimit.

05.01.2026. 09:27

Zvicra gati të vendosë ligje dragoniane për fishekzjarrët pas tragjedisë në Crans Montana

Dalja e Zvicrës nga parajsa e vet dhe përmbysja e një stereotipi që konsiderohej i blinduar, me imunitet universal ndaj ngjarjeve të trishtueshme, të cilat mund të ndodhnin kudo, por kurrë në Zvicër, u vulos nga zjarri vdekjeprurës në vendpushimin aplin, me zjarrin që shpërtheu një orë e gjysmë pas mesnatës në barin Le Constellation.

Ajo çka përbën frikë është se ky incident i tmerrshëm nuk ndodhi askund tjetër në botë, por në Zvicër, e konsideruar zemra e parajsës tokësore të rendit, respektimit të përpiktë të protokolleve dhe standardeve të sigurisë të të gjitha llojeve, disiplinës dhe besnikërisë.

Kualifikimi si "neglizhencë", sado i vetëkuptueshëm që mund të jetë, nuk mund të përdoret si faktor lehtësues për të gjithë ata që mund të përfshihen si bashkëpërgjegjës për katastrofën. Pa përjashtuar shërbimet shtetërore dhe çdo autoritet kompetent, si për shembull, ata që miratuan licencimin e një vendi për grumbullimin e dhjetëra njerëzve, pa rrugë të përshtatshme për evakuim emergjent në rast emergjence.

Po aq përgjegjës janë edhe ata që neglizhuan të kontrollonin nëse pijet alkoolike u shërbeheshin të miturve në klubin "Le Constellation".

Mjaftoi një fishekzjarr i vogël, i vendosur në një shishe shampanje, nga shkëndijat e të cilit u ndez materiali izolues i tavani. Në përgjigjet e dhëna gazetarëve nga prokurori i përgjithshëm i Valais, kantoni të cilit i nënshtrohet administrativisht qyteti i Crans-Montanës, mund të shihet se autoritetet zvicerane janë në gjendje shoku, pothuajse në mohim se diçka kaq katastrofike ka ndodhur ndonjëherë në vend.

Ndër të tjera prokurorja e përgjithshme Beatrice Pilloux tha se "nga ajo që mund të konkludojmë, zjarri duhet të ketë filluar nga fishekzjarrët e vegjël, të cilët arritën në një distancë të shkurtër nga çatia e klubit”.

“Ky ishte, ndoshta, shkaku i zjarrit, i cili u përhap shumë shpejt. Ekzistojnë pamje filmike, të cilat po i analizojmë. Ka gjithashtu shumë dëshmitarë, të cilët po i shqyrtojmë, ndërsa po hartohen raporte dhe kemi përpiluar lista të atyre që ishin të pranishëm në "Le Constellation" në natën e Vitit të Ri."

Sipas prokurorit zviceran, në fazën tjetër hetimi për aksidentin do të përqendrohet në materialet e përdorura për të mbuluar muret brenda klubit, lejet e funksionimit, masat e sigurisë nga zjarri që u morën ose jo (fikëset e zjarrit, daljet e emergjencës, numri i klientëve në natën fatale në raport me kapacitetin maksimal).

Sakaq, dëshmitë e të shpëtuarve janë regjistruar nga media në vetën e parë dhe janë tronditëse.

"Ktheva një tavolinë dhe u fsheha pas saj për t'u mbrojtur nga zjarri. Nuk mund të shihja asgjë dhe po mbyteshim nga tymi", përshkroi një i mbijetuar i quajtur Axel.

"Pastaj, arrita të ngjitem tek shkallët. Kur arrita në katin përdhes të klubit, nuk kërkova daljen, sepse ishte shumë ngushtë dhe kishte shumë njerëz që përpiqeshin të dilnin, të gjithë njëherësh. Preferova të thyeja xhamin e një dritareje, duke shkelmuar me këmbë dhe të dilja që andej. Por as unë nuk e di se si arrita t'i shpëtoja zjarrit."

Bazuar në analizat e para jozyrtare rezulton se bodrumi i "Le Constellation" u shndërrua në një kurth zjarri që i bllokoi viktimat. Nëse konfirmohet ajo që dëshmojnë pamjet nga brenda klubit, domethënë që izolimi akustik i tavanit u ndez i pari, atëherë dukuria "flashover" shpjegohet, pasi materiali specifik është një shkumë poliuretani me një profil piramidal tredimensional.

Sipas hetuesve nëse tavani i bodrumit në "Le Constellation", një dhomë me lartësi të kufizuar, kishte instaluar izolim akustik të thjeshtë, pa veti termoizoluese dhe përbërjen e veçantë që e bën atë rezistent ndaj temperaturave deri në 400 gradë Celsius, atëherë loja me shampanjën dhe fishekzjarrët ishte një dënim me vdekje për ata që zgjodhën të festonin natën e Vitit të Ri atje.

Moda për fishekzjarrë në torta dhe shampanjë, të cilët kamerierët apo edhe klientët që festojnë shpesh i ngrenë si sinjal për kulmin e festës ishte fitili për katastrofën që do të shpërthente brenda sekondave. Përveç kësaj, rryma e ajrit që pushtoi klubin kur njerëzit që përpiqeshin me dëshpërim të shpëtonin nga zjarri thyen xhamat e dritareve të ndërtesës veproi si lëndë djegëse për zjarrin tashmë të pakontrolluar. Një nga ata që arriti të shpëtonte i padëmtuar e përshkroi intensifikimin e papritur të zjarrit sikur fuqia e tij të ishte dhjetëfishuar.

Oksigjeni, së bashku me gazrat e lëshuara nga materialet që digjeshin, krijuan një koktej vdekjeprurës që e mbështolli "Le Constellation" në një unazë zjarri vetërigjeneruese.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)