Gjermania pritet të dislokojë një forcë ushtarake në Groenlandë brenda kësaj jave, raporton e përditshmja gjermane Bild. Lëvizja vjen ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump ka insistuar që Shtetet e Bashkuara duhet të marrin nën kontroll këtë ishull me rëndësi strategjike, i cili është territor autonom i Danimarkës.
Sipas burimeve qeveritare dhe parlamentare në Berlin, ushtarët e parë gjermanë mund të mbërrijnë në Groenlandë që të enjten. Kjo hap një kapitull të ri në praninë ushtarake në rajonin e Arktikut, ku rritja e interesit strategjik ka nxitur disa shtete evropiane të shtojnë prezencën e tyre.
Suedia dhe Norvegjia kanë njoftuar më parë se do të dërgojnë gjithashtu personel ushtarak në Groenlandë, pas një kërkese zyrtare nga Danimarka. Nga ana e saj, Kopenhaga ka bërë të ditur se po dislokon forca në kuadër të stërvitjeve ushtarake, me synim të forcojë sigurinë në rajonin arktik, përballë rritjes së tensioneve ndërkombëtare.
Ekspertët e mbrojtjes shohin këto lëvizje si një pjesë të zgjerimit të bashkëpunimit ushtarak evropian në zonën e Arktikut dhe një mënyrë për të balancuar ndikimin amerikan në një ishull me rëndësi strategjike dhe burime natyrore të pasura.
Një delegacion nga Danimarka dhe Groenlanda u mirëprit sot në Shtëpinë e Bardhë, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump përsëriti dëshirën e tij për të marrë kontrollin e ishullit të madh Arktik.
Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen dhe homologia e tij nga Groenlanda, Viviane Motzfeldt u takuan me Zëvendëspresidentin e SHBA-së J. D. Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio. Nuk pati një deklaratë të përbashkët mbi rezultatin e bisedimeve, por Ministri i Jashtëm danez i përshkroi bisedimet si të sinqerta dhe produktive.
"Ne pajtohemi që nuk jemi dakord", tha Rasmussen dhe njoftoi se Danimarka, Groenlanda dhe Shtetet e Bashkuara do të formojnë një grup pune të nivelit të lartë për të vazhduar diskutimet.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)