Dëmtohen linjat hekurudhore në Itali, qeveria: Akte sabotazhi në ditën e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore

Italia është përballur me akte sabotimi në rrjetin hekurudhor në veri të vendit, pikërisht në ditën e nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore, duke shkaktuar kaos dhe vonesa të mëdha në qarkullimin e trenave.

Burimi: BBC

07.02.2026. 22:11

Dëmtohen linjat hekurudhore në Itali, qeveria: Akte sabotazhi në ditën e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore

Italia është përballur me akte sabotimi në rrjetin hekurudhor në veri të vendit, pikërisht në ditën e nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore, duke shkaktuar kaos dhe vonesa të mëdha në qarkullimin e trenave. Autoritetet italiane bëjnë të ditur se janë regjistruar të paktën tre incidente të dyshuara si të qëllimshme, të cilat lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e Lojërave.

Një zjarr në infrastrukturën hekurudhore mes Bolonjës dhe Venecias solli vonesa deri në dy orë e gjysmë për udhëtarët. Më pas, policia zbuloi kabllo elektrike të prera si dhe një mjet shpërthyes të improvizuar në zona pranë linjave hekurudhore. Një tjetër incident u raportua pranë Pesaro-s, në bregdetin Adriatik, ku një ndërrues shine ishte në flakë.

Ministria italiane e Transportit i cilësoi ngjarjet si “sabotazh serioz”, duke i krahasuar me aktet vandaliste që goditën rrjetin hekurudhor francez gjatë Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 2024. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Matteo Salvini, deklaroi se këto veprime nuk do ta dëmtojnë imazhin e Italisë në arenën ndërkombëtare.

Policia njoftoi se hetimet janë në vijim dhe se deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet. Stacioni i Bolonjës, një nyje kyçe që lidh veriun me jugun dhe lindjen me perëndimin, u mbyll përkohësisht, ndërsa trafiku hekurudhor nisi të normalizohej pasditen e së shtunës.

Ceremonia hapëse e Lojërave u zhvillua të premten në mbrëmje në Milano, Cortina dhe qytete të tjera veriore, ku aktivitetet sportive shtrihen në zona të gjera nga Alpet deri në Dolomite.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)