Një figurë misterioze me pak gjurmë, biznesmeni gjerman David Stern, ka dalë në pah si një nga personat kyç në marrëdhënien mes princit Andrew dhe financierit Jeffrey Epstein, sipas dokumenteve të fundit të zbuluara nga dosjet e Epstein.
48 vjeçari Stern në fakt përmendet në 7,461 dokumente të publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA dhe shfaqet edhe në fotografi bashkë me ish–Dukën dhe Dukeshën e Jorkut.
Stern konsiderohej një ndihmës i ngushtë për Andrew dhe një bashkëpunëtor i besuar për Epstein, duke iu referuar shpesh këtij të fundit si “shefi”, të cilit i dërgonte qindra mesazhe që lidhen me marrëveshje të mundshme biznesi.
Roli i tij duket se shtrihej përtej marrëdhënieve profesionale pasi sipas burimeve ai ndihmonte në koordinimin e jetës private të të dyve, duke përfshirë edhe organizimin e festave të mëdha.
Në një email të vitit 2013, Epstein i shkruante Sternit për një grua “shumë të bukur” duke sugjeruar që Andrew ta ftonte për darkë gjatë qëndrimit të saj në Londër.
Në vitin 2014, Stern i dërgoi Epsteinit një fotografi ku shiheshin shampanja e derdhur mbi një grua të zhveshur si pjesë e një mesazhi urimi për ditëlindje, duke shtuar më pas se “princi Andrew të dërgon urimet dhe dashurinë e tij”.
Në dokumente të tjera zbulohet se dy vjet më vonë, Stern u angazhua nga Epstein të kujdesej për të dashurën e tij bjelloruse, Karyna Shuliak, duke organizuar udhëtimin e saj në Londër, i cili përfshinte edhe një vizitë në Pallatin Buckingham, një detaj që nxit akoma më shumë interes publik.
Stern kërkoi gjithashtu nga Epstein që të ishte kumbar i fëmijës së tij dhe shfaqet duke takuar rregullisht Sarah Ferguson, së bashku me të cilën ka tentuar të negociojë marrëveshje promovuese, përfshirë edhe një pozicion si ambasadore e paguar për Cunard.
Përveç lidhjeve të tij personale, Stern u emërua drejtor në Pitch@Palace, iniciativë biznesi e princit Andrew dhe prezantimi i tij me Mbretëreshën Elizabeth II në një event zyrtar ka nxitur pyetje të reja për ndikimin e tij në qarqet e larta britanike.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se ai bashkëudhëtoi me Andrew si përfaqësues tregtar në vizita zyrtare në Azi dhe u vendos në bordet e organizatave bamirëse si St George’s House Trust, themeluar nga princi Philip.
Roli i Sternit në rrjetin e lidhjeve mes princit dhe Epstein sjell në vëmendje jo vetëm natyrën e marrëdhënieve të tyre, por edhe hapësirën ku biznesi, influenca dhe marrëdhëniet personale ndërthuren në nivele shumë të larta.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)