Shtëpia e Bardhë deklaroi se Shtetet e Bashkuara “nuk synojnë civilë”, por nuk e përjashtoi mundësinë që një sulm ndaj një shkolle fillore për vajza në jug të Iran të jetë kryer nga forcat amerikane. Sipas mediave shtetërore iraniane, mbi 100 persona humbën jetën në qytetin Minab si pasojë e goditjes.
E pyetur gjatë konferencës për shtyp nëse SHBA qëndron pas sulmit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u shpreh: “Jo mesa dimë ne.” Ajo theksoi se SHBA po godet “regjimin e papërgjegjshëm iranian” dhe shtoi se Irani përdor propagandën në mënyrë efektive.
Edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi më herët se administrata është duke e hetuar ngjarjen, duke lënë të kuptohet se verifikimet janë ende në proces.
Ndërkohë, Leavitt siguroi se SHBA ka “më shumë se mjaftueshëm” armë për të zhvilluar një luftë të zgjatur me Iranin dhe për të çuar përpara operacionin ushtarak. Ajo theksoi se arsenali amerikan është i mjaftueshëm dhe se ekzistojnë rezerva armësh në vende që “shumë në botë nuk i njohin”.
Presidenti Donald Trump kishte shprehur më herët shqetësime për nivelin e rezervave, por Shtëpia e Bardhë sqaroi se komentet e tij lidhen me furnizimet e dërguara më parë në Ukrainë gjatë administratës së mëparshme.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë të rriten, ndërsa hetimet për sulmin ndaj shkollës mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)