Trump kërkoi dorëzim total, Irani vendos tre kushte për fundin e luftës

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian vendosi tre kushte për fundin e konfliktit duke thënë se kërkon dëmshpërblim financiar, njohjen e të drejtave të vendit dhe garanci ndërkombëtare për të mos pasur sulme të ngjashme në të ardhmen.

Burimi: Sky News

11.03.2026. 21:13

Trump kërkoi dorëzim total, Irani vendos tre kushte për fundin e luftës

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me SHBA-në dhe Izraelin duhet të përfshijë pagesën e dëmshpërblimeve për Teheranin, ndërkohë që Amerika kërkon dorëzimin pa kushte të Republikës Islamike.

Teksa luftimet janë në ditën e dymbëdhjetë, Pezeshkian në një postim në platformën ‘X’, tha se Irani mbetet i përkushtuar ndaj paqes në rajon, por vendosi kushte për fundin e konfliktit duke thënë se kërkon njohjen e të drejtave të vendit dhe garanci ndërkombëtare.

“Duke folur me liderët e Rusisë dhe Pakistanit, riafirmova përkushtimin e Iranit për paqen në rajon. E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte, të ndezur nga regjimi sionist dhe SHBA, është njohja e të drejtave legjitime të Iranit, pagesa e dëmshpërblimeve dhe garanci të forta ndërkombëtare kundër agresioneve të ardhshme”, shkroi lideri Iranian.

Deklarata vjen në një moment kur udhëheqja iraniane nuk duket e gatshme të tërhiqet nga qëndrimet e saj, pavarësisht deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka sugjeruar se konflikti po rezulton më i lehtë për SHBA-në nga sa ishte parashikuar.

Trump më herët kishte përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje paqeje me Iranin, duke thënë se e vetmja zgjidhje do të ishte “dorëzimi pa kushte”.

Gjatë një konference për mediat, kreu i Shtëpisë së Bardhë u pyet nëse operacioni kundër Iranit është një “ekskursion i vogël” apo një luftë, dy termat që ai vetë ka përdorur më parë për ta përshkruar konfliktin.

“Janë të dyja”, u përgjigj Trump. “Është një ekskursion që do të na mbajë jashtë një lufte. Për ta është luftë, ndërsa për ne doli më e lehtë se sa mendonim”, nënvizoi lideri amerikan.

Trump shtoi gjithashtu se SHBA-të kanë goditur 28 anije që vendosin mina detare, siç tha ai “duke përdorur të njëjtën armë që kemi përdorur kundër trafikantëve të drogës”.

Kjo duket të jetë një referencë ndaj politikës së administratës së tij për të goditur anije në Karaibe të dyshuara për trafik droge. Këto operacione janë kritikuar nga ekspertët, të cilët thonë se përdorimi i forcës ushtarake në raste të tilla është i diskutueshëm nga pikëpamja ligjore dhe mund të jetë joproporcional për çështje që zakonisht trajtohen nga autoritetet e zbatimit të ligjit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)