Arti shqiptar në zi, ndërron jetë aktori i njohur

Ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare aktori i njohur Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi.

31.01.2026. 16:59

Arti shqiptar në zi, ndërron jetë aktori i njohur

Arti shqiptar në zi, pas vdekjes në moshën 82 vjeçare të aktorit të mirënjohur Fitim Makashi, babai i kantautorit Redon Makashi.

Fitim Makashi është një prej aktorëve që i përket plejadës së artë të filmit shqiptar. Gjatë karrierës së tij ai regjistron dhjetëra role të ndryshme në teatër dhe film.

Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nis studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë për aktor dhe ka mbaruar në 1967. Për një kohë të gjatë punon si pedagog në ILA dhe në të njëjtën kohë pati një angazhim të herë pas herëshme në Teatrin Popullor.

Zyrtarisht do të jetë viti 1978 kur do të emërohet aktor në këtë Teatër, vendi ku vazhdoj karrierën artistike si aktor për rreth 12 vjet, saktësisht deri nga mesi i viteve 90-të.

Gjatë kësaj kohe realizon një sërë rolesh që lanë gjurmë në skenën e teatrit, nga ku mund të kujtojmë rolin e Pedagogut në “Pas provimit të dytë” , Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, roli i Benit tek “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu tek “Dritat e skenës”, Telhai tek “Besa”, Filipoviç` tek shfaqja “Inspektori” që mbahet edhe si roli i fundit i tij në Teatër.

Fillimet në film i ka që në vitin 1967 me një rol episodik të një marinari në filmin “Dueli i heshtur”, duke vazhduar me filmat e tjerë si “Prita” (1968) “Njësiti gueril” (1969) “Ndërgjegja” (1972) “Rugicat që kërkonin diell” (1975) “Në fillim të verës” (1975) “Ilegalët” (1976) “Nga mesi i errësirës” (1978) “Intendenti” (1980) “Gjurmë në kaltërsi” (1981) “Tre njerëz me guna” (1985) “Shpella e piratëve” (1991) “Vdekja e kalit” (1992).

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)