Marrëdhëniet shoqërore jo të shëndetshme mund të kenë pasoja më të thella sesa mendohej deri më sot, duke ndikuar drejtpërdrejt në procesin e plakjes së organizmit. Këtë e tregon një studim i fundit shkencor, i cili lidh ndërveprimet negative me ndryshime biologjike konkrete.
Sipas kërkimit të publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences, kontaktet e vazhdueshme me persona që krijojnë stres, si debatet e shpeshta, manipulimi emocional apo konfliktet e vazhdueshme, mund të përshpejtojnë plakjen e qelizave. Studiuesit nuk u mbështetën vetëm në perceptime subjektive, por analizuan tregues biologjikë të matshëm.
Një nga efektet kryesore është rritja e inflamacionit kronik, një gjendje e heshtur por e vazhdueshme që lidhet me sëmundje si problemet e zemrës, diabeti dhe rënia e funksioneve njohëse. Po ashtu, është konstatuar një rritje e radikaleve të lira, të cilat dëmtojnë qelizat dhe përshpejtojnë konsumimin e indeve.
Studimi evidenton edhe ndikimin te telomerët, strukturat që mbrojnë kromozomet dhe që shkurtohen me kalimin e moshës. Stresi social i vazhdueshëm përshpejton këtë proces, duke u konsideruar një tregues i qartë i plakjes biologjike.
Gjithashtu, janë vërejtur ndryshime epigjenetike, që ndikojnë në aktivizimin e gjeneve, duke treguar se trupi “regjistron” stresin në nivel molekular.
Ekspertët theksojnë se truri e percepton stresin social si kërcënim real, duke rritur nivelin e kortizolit dhe duke dobësuar sistemin imunitar. Megjithatë, shmangia e marrëdhënieve toksike dhe ndërtimi i lidhjeve të shëndetshme mund të ndihmojë në rikthimin e ekuilibrit dhe mbrojtjen e shëndetit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)