“Raporti 2025” i Gjykatës Kushtetuese: 605 çështje të trajtuara, shumica nga individët

Vetëm 3 për qind e kërkesave janë paraqitur nga subjekte të tjera si organizata, deputetë, gjykata, Presidenti i Shqipërisë apo parti politike.

18.03.2026. 19:00

“Raporti 2025” i Gjykatës Kushtetuese: 605 çështje të trajtuara, shumica nga individët

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka publikuar raportin e veprimtarisë për vitin 2025, ku bëhet e ditur se gjatë këtij viti kalendarik janë trajtuar gjithsej 605 çështje. Sipas raportit, 501 prej tyre kanë qenë kërkesa të reja të paraqitura gjatë vitit 2025, ndërsa 104 çështje janë mbartur nga viti 2024. Nga totali i vendimeve të marra gjatë vitit, gjykata ka dhënë 429 vendime.

Foto: Gjykata Kushtetuese

Prej këtyre vendimeve, 85 kanë qenë vendime përfundimtare, ndërsa pjesa më e madhe, 344 lidheshin me vendime për moskalimin e çështjeve për shqyrtim gjyqësor. Raporti tregon gjithashtu se për vendimet përfundimtare Gjykatës Kushtetuese i janë dashur mesatarisht rreth 8 muaj për shqyrtimin e një çështjeje. Ndërsa për vendimet e moskalimit për shqyrtim, vendimmarrja është bërë brenda një afati mesatar prej 3 muajsh.

Një tjetër e dhënë që bie në sy në raport është fakti se shumica dërrmuese e kërkesave janë paraqitur nga individë. Rreth 97 për qind e kërkesave të trajtuara gjatë vitit 2025 janë depozituar personalisht nga qytetarët, ndërsa vetëm 3 për qind janë paraqitur nga subjekte të tjera si organizata, deputetë, gjykata, Presidenti i Shqipërisë apo parti politike.

Foto: Gjykata Kushtetuese

Sa i përket natyrës së çështjeve, rreth 75 për qind e tyre kanë qenë ankesa kundër vendimeve të gjykatave të zakonshme. Pjesa tjetër lidhej me çështje që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e ligjeve, mbrojtjen e të drejtave themelore, konfliktet e kompetencave dhe akte të pushtetit publik.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)