Krime lufte në Vushtrri, dënohet me 10 vite burg ish-polici nga radhët e komunitetit serb

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 10 vjet burg ish-policin Sllagjan Trajkoviç, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në komunën e Vushtrrisë gjatë vitit 1999.

26.12.2025. 11:11

Krime lufte në Vushtrri, dënohet me 10 vite burg ish-polici nga radhët e komunitetit serb

Trupi gjykues e shpalli Trajkoviçin fajtor për pikën C të aktakuzës, ndërsa për pikat A dhe B ai u shpall i pafajshëm.

Trajkoviç, nga Mitrovica e Veriut, ishte arrestuar më 15 dhjetor 2022 në Mitrovicën e Jugut dhe që nga ajo kohë ndodhet në paraburgim. Koha e kaluar në paraburgim do t’i llogaritet në vuajtjen e dënimit, ndërsa avokatët mbrojtës kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda 30 ditësh.

I dënuari kishte punuar për rreth dhjetë vjet në Policinë e Kosovës, duke kaluar të gjitha kontrollet e sigurisë të nevojshme për shërbim. Ai ishte gjithashtu një nga rreth 600 policët nga veriu i Kosovës që dhanë dorëheqje nga detyra më 5 nëntor 2022, në shenjë proteste ndaj, siç u tha atëherë, dhunës dhe presionit ndaj serbëve në atë pjesë të vendit.

Sipas të dhënave, Trajkoviç jetonte me familjen në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut. Pas 23 vitesh, autoritetet e drejtësisë në Kosovë nisën procedurë penale ndaj tij për krime lufte.

Ai u paraqit për herë të parë para gjykatës speciale në Prishtinë pas dhjetë muajsh nga arrestimi, ku u deklarua i pafajshëm për akuzat. Trajkoviç kishte deklaruar se jeton në Kosovë, se nuk ka pasur probleme me askënd dhe se nuk ka pasur kurrë ndërmend të largohet nga vendi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)