Vizita në Kosovë, kryeministri Rama pritet me ceremoni zyrtare nga Albin Kurti

Kryeministri Edi Rama është pritur në takim nga homologu Albin Kurti me një ceremoni zyrtare.

16.02.2026. 16:08

Vizita në Kosovë, kryeministri Rama pritet me ceremoni zyrtare nga Albin Kurti

Kryeministri Edi Rama është pritur me një ceremoni solemne nga homologu i tij Albin Kurti në objektin e qeverisë së Kosovës në Prishtinë.

Rama mbërriti për takimin zyrtar me Kurtin, ndërsa para hyrjes së ndërtesës qeveritare ishte shtruar tapeti i kuq dhe një gardë nderi nga Forca e Sigurisë së Kosovës ishte rreshtuar për pritjen protokollare.

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, Rama zhvilloi takim edhe me presidenten Vjosa Osmani, ku u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, Bordin e Paqes dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Presidenca e Kosovës njoftoi pas takimit se mes Ramës dhe Osmanit u diskutua për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për zhvillimet rajonale.

“Në fokus të takimit ishin, para së gjithash, koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike. Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin. Presidentja Osmani dhe Kryeministri Rama riafirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy shteteve, duke vënë theksin në partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në afrimin dhe mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të akademikut Ahmet Shala, kryeministri shqiptar u ndal tek procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe deklaroi se çlirimtarët nuk kanë lidhje me krime lufte, ndërsa procesi ndaj tyre buron nga një plan i nisur pas raportit të Dick Marty-t.

“Sipas kërkesës së prokurorisë së tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe katër të tjerë në anën tjetër të barrikadës, ndërkohë që prokuroria nuk pati kapacitetin të provojë asgjë të ngjashme, pasi nuk ka në aktivitetin e katër udhëheqësve të UÇK-së. Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre dhe UÇK-së me terrorin, pastrimin etnik, varre me njerëz të pafajshëm, shënjestrimin e fëmijëve dhe grave, apo me përdhunime, vrasje, mbytje njerëzish në lumë. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një politike shfarosjeje. Nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të hequr qafe sundimin e të huajve në tokën e tyre”, tha Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)