Arrestohet ish-zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet, në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Sipas mediave maqedonase, Grubi është paraqitur vullnetarisht në orët e para të mëngjesit pranë pikës kufitare të Bllacës, në kufi me Kosovën. Menjëherë pas paraqitjes, autoritetet kanë ndërmarrë masat ligjore për ndalimin dhe shoqërimin e tij. Në momentin e vendosjes së prangave, ai është shfaqur i qetë dhe i buzëqeshur.
Policia konfirmoi se Grubi u shfaq në hyrje të territorit të Maqedonisë së Veriut rreth orës 06:10 të mëngjesit të kësaj të hëne, ku edhe është ndaluar menjëherë. Më pas, ai është shoqëruar pranë organeve kompetente për procedura të mëtejshme, ndërsa deri më tani nuk janë dhënë detaje shtesë lidhur me fazën aktuale të procesit penal ndaj tij.
Ish-numri dy i qeverisë është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për shpërdorim të detyrës, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik. Çështja ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Më herët, gjykata kishte caktuar ndaj tij masën e paraburgimit, ndërsa autoritetet e kishin shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë. Në dhjetor të vitit 2024, Grubi është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)