Njësitë speciale të policisë malaezeze kanë rrethua ndërtesën ku jeton biznesmeni Aco Gjukanoviç, vëllai i ish-Presidentit dhe Kryeministrit të vendit, Milo Gjukanoviç.
Sipas informacioneve të Newsmax Serbia nga terreni, prona e përdorur nga Gjukanoviç, e cila ndodhet në rrugën Vuka Karaxhiça, në qendër të Podgoricës, po kontrollohet me imtësi.
Nga imazhet bien në sy forcat e shumta të policisë në hyrje të objektit, por detajet e aksionit nuk janë njoftuar ende zyrtarisht.
Në të njëjtën ndërtesë ndodhen edhe ambientet e Bankës së Parë të Malit të Zi, e cila është në pronësi të Aco Gjukanoviç. Vëllai i ish-Presidentit konsiderohet si një nga njerëzit më të pasur në Mal të Zi.
Në fund të vitit 2006, ai bleu aksionet e bankës së atëhershme Nikšićka, e cila në vitin 2007 u riemërua Prva banka Crne Gore. Që nga fillimi i punës së saj deri në shkarkimin e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) në gusht 2020, shumë kompani shtetërore, ministri, institucione të tjera shtetërore, si dhe qeveri lokale dhe biznesmenë të afërt me partinë në pushtet mbanin depozita në atë bankë.
Të dhënat nga regjistrat publikë tregojnë se Gjukanoviç zotëron pasuri të paluajtshme të konsiderueshme në disa qytete malazeze, përfshirë Podgoricën, Kotorrin, Nikshiqin, Kolashinin dhe Zhabljakun. Bëhet fjalë për ambiente biznesi, apartamente, parcela dhe tokë ndërtimi, vlera totale e të cilave në disa raporte është vlerësuar në dhjetëra dhe madje mbi 100 milionë euro.
Aco Gjukanoviç kishte gjithashtu një pjesëmarrje në projekte minerare dhe energjetike në Mal të Zi, duke përfshirë rreth 12 përqind pronësi në Minierën e Qymyrit në Pljevlja.
Gjatë viteve të mëparshme, disa organizata joqeveritare, përfshirë Rrjetin për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar (MANS), ngritën kallëzime penale dhe vunë në dukje parregullsi të dyshuara në bizneset që lidheshin me Gjukanoviçin, por këto raste mbetën kryesisht pa një epilog gjyqësor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)