Pesë persona të arrestuar dhe armë zjarri e drogë të sekuestruara. Ky është bilanci i aksionit të koduar “Siguria” që policia e Durrësit kreu në të gjithë qarkun gjatë 12 orëve të fundit, në kuadër të goditjes së rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe posedimit të lëndëve narkotike.
Blutë e Durrësit bëjnë me dije se janë sekuestruar 2 armë zjarri (1 kallashnikov dhe 1 pistoletë), municion luftarak, 4 armë të ftohta, kanabis, si dhe 2 automjete.
Një automjet me të cilin qarkullonin tre persona u ndalua nga policia në Sukth dhe gjatë kontrollit u gjet një armë zjarri kallashnikov, 3 karikatorë dhe 17 fishekë. Po ashtu, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të mjetit, 29-vjeçarit Servin Muça, atij iu gjet një sasi kanabisi.
Në kuadër të hetimeve për këtë rast, u ushtrua kontroll në banesën e 31-vjeçarit Juljan Hida, në qytetin e Kuçovës, ku u gjetën 3 armë të ftohta.
“Gjithashtu, gjatë kontrolleve në lagjen nr. 14 në Durrës, shërbimet e Policisë ndaluan një automjet me drejtues Zef Kola, të cilit iu gjet një armë zjarri pistoletë me krehër me 6 fishekë. Ndërkohë, materialet iu referuan Prokurorisë, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. B., 23 vjeç, banues në Shkozet, pasi dyshohet se kishte dijeni për rastin, por nuk ka kallëzuar. Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë Servin Muça, 29 vjeç; Fabian Seriani, 25 vjeç; Brised Punci, 25 vjeç, të dy banues në Sukth; Juljan Hida, 31 vjeç, si dhe Zef Kola, 20 vjeç, banues në Durrës”, informon policia.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)