Pas katër viteve heshtje absolute, BTS rikthehen me një projekt të destinuar të rishkruajë rregullat e industrisë muzikore. Grupi koreano-jugor i k-pop ka njoftuar zhvillimin e një turneu botëror, në të cilin janë planifikuar 79 koncerte në 34 qytete, në pesë kontinente.
Ky do të jetë turneu më i madh në karrierën e tyre dhe do të lidhet me publikimin e një albumi të ri më 20 mars 2026. Bëhet fjalë për albumin e parë muzikor të grupit pas gjashtë vitesh.
Një rikthim shumë i pritur nga “Ushtria”, siç quhen ndryshe fansat e grupit në mbarë botën, që sipas parashikimeve financiare mund të gjenerojë mbi një miliard dollarë të ardhura nga shitja e biletave, licencat, transmetimet apo shitjet në dyqane.
Turneu do të nisë më 9 prill 2026 nga stadiumi i “Goyang” në Korenë e Jugut, me tre data që shënojnë simbolikisht kthimin në shtëpi të grupit, pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga të shtatë anëtarët. Më pas, turneu do të shtrihet në Azi, Amerikën e Veriut, Europë dhe Amerikën e Jugut, deri në vitin 2027, me datat e tjera që do të shpallen në një periudhë të mëvonshme.
Në Europë, për momentin, janë konfirmuar pesë qytete: Madrid më datë 26 qershor, Bruksel më 1 korrik, Londër në datat 6 dhe 7 korrik, Mynih më 11 korrik dhe Parisi më 17 korrik. Për miliona fansa në mbarë botën, kjo do të jetë hera e parë që do të kenë mundësi të ndjekin grupin BTS live pas shtatë vitesh. Rikthimi i tyre konfirmon se fenomeni k-pop ende nuk është konsumuar në industrinë muzikore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)