Në një ceremoni që zgjati vetëm pak minuta në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani pas tre viteve në krye të SPAK ia ka kaluar stafetën Klodian Brahos, të zgjedhur me 7 vota nga anëtarët e KLP-së në mbledhjen e pak ditëve më parë, si drejtuesi i ri.
Ceremonia nisi në orën 10:00, me Altin Dumanin që mbajti fjalën e rastit duke i uruar suksese pasaardhësit të tij në këtë detyrë të re dhe tepër sfiduese.
“Para se t’ia lë fjalën z. Braho, t’i kaloj zyrtarisht edhe stafetën, më lejoni të them dy fjalë. Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit të karrierës sime 26-vjeçare si prokuror. Drejtimi i Prokurorisë së Posaçme ka qenë një privilegj i madh, por edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presione të mëdha Në çdo jap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot mund të them me bindje se SPAK është më i fortë, më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë. Këto arritje janë rezultat i punës së palodhur të të gjithëve: prokurorëve, oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, hetuesve financiarë, ekspertëve, stafit administrativ, kabinetit dhe të çdo punonjësi që ka kontribuar me ndershmëri e kurajë. Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për përkushtimin, integritetin dhe sakrificat tuaja. Gjithashtu dua t’u shpreh mirënjohjen time partnerëve ndërkombëtarë që kanë qenë pranë nesh në çdo etapë me mbështetje dhe ekspertizë të pakushtëzuar. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e standardeve që kemi sot Një falënderim i veçantë për publikun shqiptar, besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj shumë suksese z. Braho në detyrën e re dhe kam bindjen se ai do të mbështetet mbi trashëgiminë 6-vjeçare duke e çuar përpara misionin e SPAK me integritet e vendosmëri", u shpreh Dumani.
Ndërkohë, Braho nënvizoi në fjalën e tij se SPAK do të vijojë të punojë si një skuadër, në zbatim të Kushtetutës dhe respektim të ligjit. Drejtuesi i ri i strukturës po ashtu vlerësoi punën e bërë nga Arben Kraja dhe Altin Dumani në krye të SPAK, në 6 vitet e para të funksionimit të institucionit.
“Marrja e detyrës është një angazhim për të respektuar Kushtetutën, për të mbojtur pavarësinë e SPAK dhe pë të forcuar besimin e qytetarëve. Falë mbështetjes së ndërkombëtarëve, SPAK po përforcohet. Falënderoj paraardhësin në detyrë zotin Kraja për vendosjen e gurëve të parë në institucion për të marrë formën që ka sot si dhe Dumain për guximin dhe integritetin duke përforcuar figurën e SPAK. Fokusi im do të mbetet forcimin i funksionimit të brendshëm. Instucioni do të vazhdojë të komunikojë në mënyrë të qartë me median dhe pubikun brenda kornizave ligjore. Misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale. Unë besoj se jemi një skuadër dhe duhet të punojmë krah për krah me përkushtim për zotimin tonë për respektimin Kushtetutës”, u shpreh kreu i SPAK.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)