I shpëtoi jetën protestuesit, vlerësohet polici i “Shqiponjave”

“Certifikatë për Shërbime të Dalluara” për ndërhyrjen e shpejtë, pasi personi mori flakë prej shpërthimit të një bombe molotov.

27.12.2025. 10:22

I shpëtoi jetën protestuesit, vlerësohet polici i “Shqiponjave”

Protesta kombëare e opozitës mund të ishte kthyer në tragjedi, kur një protestues mori flakë pas shpërthimit të një bombe molotov. Por, ndërhyrja e shpejtë e një prej policëve bëri që më e keqja të evitohej.

Për ndërhyrjen profesionale, duke I shpëtuar jetën qytetarit nga djegia, inspektori Marsel Bicja u vlerësua me “Certifikatën për Shërbime të Dalluara”. Ajo iu dorëzua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit”.

Certifikata iu dorëzua gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda tha: “Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve”.

Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për inkurajimin dhe mbështetjen që i jep strukturave të Policisë, si dhe vlerësoi veprimin e punonjësit të Shqiponjave, që s’kishte nevojë për komandë, por e komandoi uniforma që mban veshur dhe ndjenja njerëzore.

Nga ana e tij, inspektori Marsel Bicja, shprehu mirënjohje për certifikatën dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)