Elbasani i bllokuar nga trafiku, kolona kilometrike në çdo hyrje-dalje

Situatë e rënduar nga trafiku në të gjitha pikat e hyrjes dhe daljes në qytetin e Elbasanit. Shkak mendohet lëvizja e qytetarëve për festat e fundvitit.

30.12.2025. 16:41

Elbasani i bllokuar nga trafiku, kolona kilometrike në çdo hyrje-dalje

Qyteti i Elbasanit po përballet prej ditësh me një situatë të rënduar trafiku, duke u paralizuar pothuajse nga të gjitha hyrjet dhe daljet. Kolona kilometrike automjetesh shihen gjatë gjithë ditës, ndërsa në orët e mbrëmjes qarkullimi bëhet edhe më problematik, veçanërisht në akset Tiranë–Elbasan, Cërrik–Elbasan dhe Librazhd–Elbasan.

Ardhja masive e emigrantëve për festat e fundvitit, e kombinuar me lëvizjet sezonale të banorëve, e ka kthyer qytetin në një nyje të vështirë për qarkullimin rrugor.

Situata përkeqësohet edhe më tej nga mungesa e një bypass-i funksional dhe e rrugëve dytësore që do të lehtësonin lëvizjen nga dhe drejt fshatrave përreth.

Veçanërisht problematike paraqitet unaza jugore e qytetit, ku duhet të koordinohen qindra mjete që vijnë nga zonat rurale, automjetet me destinacion Cërrikun dhe Gramshin, si edhe trafiku i rëndë në aksin Elbasan–Qafë Qanë.

Ky segment është një lidhje strategjike mes juglindjes së vendit, Tiranës, portit të Durrësit dhe pikave doganore të Qafë Thanës dhe Kapshticës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)