Reshjet e shiut dhe dëborës kanë shkaktuar problematika të izoluara në disa bashki të veriut të vendit, ndërsa autoritetet vendore bëjnë me dije se situata po monitorohet dhe mbahet nën kontroll.
Në Bashkinë Shkodër, si pasojë e reshjeve intensive, është konstatuar shembje e një segmenti rrugor në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në zonën e quajtur “Shkallë Logje”. Për arsye sigurie, aksi është bllokuar për qarkullim dhe është vendosur sinjalistika përkatëse, ndërkohë që po kryhet vlerësimi i dëmtimeve dhe po punohet për normalizimin e situatës. Gjatë gjithë natës, borëpastrueset kanë qenë në terren për të mbajtur të hapur aksin Qafë Thore–Theth.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, reshjet kanë pushuar. Tre borëpastruese janë angazhuar në aksin Tamarë–Vermosh, ku janë evidentuar ngrica. Po kryhet kriposja dhe mirëmbajtja e rrugës për të garantuar qarkullimin e sigurt.
Në Bashkinë Vau i Dejës, reshjet e shiut kanë ndaluar, por janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa njësi administrative. Grupet e punës ndodhen në terren dhe po punojnë për rikthimin e furnizimit me energji.
Në Bashkinë Fushë-Arrëz, reshjet e shiut me intensitet të lartë vijojnë. Janë shënuar rënie gurësh dhe dherash në disa rrugë rurale, megjithatë akset mbeten të kalueshme dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Ndërkohë, në Bashkinë Pukë reshjet e shiut vazhdojnë të shoqëruara me erë të fortë, por deri në këto momente nuk janë raportuar problematika.
Sipas DRUK Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 85 mm reshje shiu. Nuk raportohen probleme në kanalet kulluese, argjinatura apo në digën e Rezervuarit të Shkodrës, ndërsa nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër si dhe të Rezervuarit të Shkodrës mbeten nën kuotat e rrezikut për përmbytje.
Hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Çasit janë në funksion të plotë dhe në gatishmëri për të operuar me kapacitet maksimal, nëse situata do ta kërkojë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)