“Fasadë parlamentare”, Bardhi: PD bojkoton seancën e së martës

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të bojkotojë seancën plenare të së martës në Kuvend, duke e konsideruar atë të paligjshme dhe të thirrur në kundërshtim me rregulloren parlamentare.

16.03.2026. 16:45

“Fasadë parlamentare”, Bardhi: PD bojkoton seancën e së martës

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të bojkotojë seancën plenare të së martës në Kuvend, duke e konsideruar atë të paligjshme dhe të thirrur në kundërshtim me rregulloren parlamentare.

Vendimi u bë i ditur nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili deklaroi se seanca është thirrur jashtë ditës normale të zhvillimit dhe pa një rend dite të miratuar. Sipas Bardhit, në njoftimin për seancën parashikohet vetëm miratimi i procesverbalit dhe disa njoftime, çka sipas tij nuk përbën një seancë të mirëfilltë parlamentare.

“Një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk është më parlament, por një dekor për propagandën e qeverisë”, u shpreh Bardhi.

Ai akuzoi gjithashtu mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama se po e përdorin parlamentin për interesa politike dhe për të penguar, sipas tij, hetimet ndaj korrupsionit.

Sipas Bardhit, në vend që të trajtojë problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, parlamenti është shndërruar në një instrument në shërbim të ekzekutivit.

Për këtë arsye, opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën e së martës, duke e cilësuar atë një “fasadë parlamentare”.

Më tej, Bardhi theksoi se prioritet i opozitës gjatë kësaj jave do të jenë takimet me qytetarët në të gjithë vendin, si dhe mobilizimi për protestën e paralajmëruar më 22 mars. Sipas tij, opozita do të vijojë betejën politike për ndryshim, luftë kundër korrupsionit dhe një qeverisje që, sipas tij, duhet të jetë në shërbim të qytetarëve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)