Kukës, shiu i lë vendin borës, rrëshqitjet e dherave bllokojnë disa akse

Ulja e temperaturave ka sjellë reshje bore në qarkun e Kukësit. Ndërkohë, reshjet e djeshme të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dherash dhe bllokimin e disa akseve.

08.01.2026. 08:38

Kukës, shiu i lë vendin borës, rrëshqitjet e dherave bllokojnë disa akse

Pas disa ditësh reshje shiu, qarku i Kukësit është përfshirë në orët e para të mëngjesit nga bora.

Teksa qyteti sapo ka marrë shtresën e parë të bardhë, bora vijon të bjerë me intensitet në zonat e thella të Tropojës, në Valbonë e Shishtavec.

Ndërkohë, që autoritetet lokale ndodhen në terren dhe po bëjnë një vlerësim të situatës së krijuar nga reshjet e shiut.

Sipas tyre, rrëshqitjet e dherave kanë bllokuar disa akse në Zapod, Shishtavec, Topojan dhe Malzi, teksa janë dëmtuar dhe dy ura në Orgjost dhe Drazh.

Në Malqenë dhe Surroj janë dëmtuar dhe dy banesa, një prej të cilave nga era e fortë që ka shkulur çatinë e saj.

Autoritetet vendore bëjnë me dije se po monitorojnë situatën në terren dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e emergjencave civile.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)