Moti i keq, shiu i lë vendi borës në disa zona, nis problematikat e para

Shiu i lë vendin borës, ndërsa moti i keq ka përfshirë gjithë Shqipërinë, duke shkaktuar rritje të niveleve të lumenjve, përmbytje të tokave e banesave, si dhe rrëshqitje dherash. Ndërkohë, në veri dhe zonat malore reshjet e shiut janë shndërruar në dëborë.

08.01.2026. 09:19

Moti i keq, shiu i lë vendi borës në disa zona, nis problematikat e para

Shiu i lë vendin borës, ndërsa moti i keq përfshin vendin nga jugu në veri, duke sjellë përmbytje, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullim.

Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë rënduar situatën hidrologjike në disa qarqe, veçanërisht në jug dhe perëndim të Shqipërisë, ndërsa ulja e temperaturave ka sjellë reshje dëbore në zonat malore dhe veriore.

Lumi Vjosë ka shënuar rritje të ndjeshme të prurjeve, duke arritur nivelin 9 metra në urën e Mifolit dhe 7.5 metra në Memaliaj. Si pasojë, qindra hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në Fier dhe Vlorë, konkretisht në zonat Kashisht, Ferras, Çerven, Kafaraj dhe Novoselë.

Dhjetëra banesa janë prekur nga uji, disa prej tyre brenda argjinaturave, ndërsa autoritetet vendore kanë vënë në gatishmëri strukturat e emergjencës për raste evakuimi dhe mbrojtjen e bagëtive.

Situata mbetet problematike edhe në Shkodër, ku niveli i lumit Buna është rritur, duke mbajtur ende të pakalueshme zonën e Obotit për mjetet e vogla. Ndërkohë, në lumin Drin është shënuar rënie e nivelit të ujit si pasojë e uljes së shkarkimeve nga hidrocentralet.

Në jug të vendit, reshjet e dendura kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në Përmet, Këlcyrë dhe Gjirokastër. Në disa fshatra janë bllokuar rrugë rurale, ndërsa në aksin nacional Gjirokastër–Tepelenë qarkullimi vijon vetëm me një sens.

Si masë sigurie, disa familje janë evakuuar nga banesat që rrezikoheshin nga rrëshqitjet, ndërsa probleme janë raportuar edhe në furnizimin me energji elektrike në disa njësi administrative.

Ndërkohë, në veri dhe juglindje të vendit, shiu i ka lënë vendin borës. Kukësi, Korça, Llogaraja, Bogë-Thethi, Vermoshi dhe Qafë Thanë janë zbardhur, me reshje dëbore që në disa zona kanë arritur deri në 15 centimetra.

Akset malore po mbahen të hapura falë ndërhyrjes së borëpastrueseve dhe kriposjes së rrugëve, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të udhëtojnë me goma dimërore dhe zinxhirë.

Autoritetet parashikojnë përmirësim gradual të situatës në orët në vijim, ndërsa reshjet pritet të dobësohen dhe të ndërpriten në pjesën më të madhe të territorit. Megjithatë, strukturat e emergjencës mbeten në gatishmëri për shkak të rrezikut të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve në zonat e prekura.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)