Moti i keq “paralizon” Shqipërinë, përmbytje masive, rrugë të bllokuara dhe qindra të evakuuar

Reshjet intensive të shiut, të shoqëruara në disa zona me dëborë dhe temperatura të ulëta, kanë sjellë daljen nga shtrati të disa lumenjve kryesorë, përmbytjen e mijëra hektarëve tokë bujqësore dhe dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturë, banesa dhe aktivitetin ekonomik.

09.01.2026. 10:48

Moti i keq “paralizon” Shqipërinë, përmbytje masive, rrugë të bllokuara dhe qindra të evakuuar

Moti i keq që ka përfshirë prej ditësh të gjithë territorin e vendit ka shkaktuar një situatë të rënduar me përmbytje, bllokime rrugësh, rrëshqitje dherash dhe vështirësi serioze në qarkullim dhe jetën e përditshme të mijëra qytetarëve.

Reshjet intensive të shiut, të shoqëruara në disa zona me dëborë dhe temperatura të ulëta, kanë sjellë daljen nga shtrati të disa lumenjve kryesorë, përmbytjen e mijëra hektarëve tokë bujqësore dhe dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturë, banesa dhe aktivitetin ekonomik.

Një nga zonat më të prekura mbetet lugina e Vjosës, ku ndonëse niveli i lumit ka nisur rënien gradualisht, përmbytjet kanë lënë pas pasoja të rënda, veçanërisht në zona si Bishani, ku uji ka depërtuar në dhjetëra banesa dhe nënkalimi vijon të mbetet i pakalueshëm. Problematike paraqitet edhe situata në akset kryesore rrugore, ku segmente të rëndësishme si Fier–Vlorë, Klos–Burrel, Uji i Ftohtë–Tepelenë dhe Qafë Plloçë–Qukës janë përmbytur ose bllokuar nga shembje dhe rrëshqitje dherash, duke krijuar radhë kilometrike automjetesh.

Gjendja është përkeqësuar edhe në zonat e ultësirës perëndimore, ku lumi Erzen ka dalë nga shtrati në Durrës, duke detyruar evakuimin e qindra banorëve dhe duke përmbytur mijëra hektarë tokë bujqësore.

Autoritetet vendore dhe qendrore janë angazhuar në terren me forca të shumta operacionale, ndërsa situata vijon të monitorohet nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile.

SITUATA SIPAS ZONAVE:

Nis rënia e nivelit të lumit Vjosa, disa fshatra nën ujë

Niveli i lumit Vjosë ka nisur rënien që prej mesnatës, duke zbritur aktualisht në kuotën 8.4 metra. Si pasojë, uji ka filluar të tërhiqet gradualisht nga zonat e përmbytura. Megjithatë, situata mbetet problematike në zonën e Bishanit, ku në nënkalim prania e ujit arrin ende rreth 2 metra, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.

Uji ka depërtuar në rreth 20 familje në Bishan, kryesisht në ambientet e jashtme të banesave, duke shkaktuar dëme materiale dhe shqetësim për banorët.

Përmbytet aksi rrugor Fier–Vlorë, pranë Ferrasit

Në rrugën nacionale Fier–Vlorë, një segment pranë fshatit Ferras është përmbytur. Ujërat kanë dalë nga tokat bujqësore, të cilat janë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të daljes së lumit Vjosë nga shtrati, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke shkaktuar dëme në bujqësi.

Bllokohet aksi Klos–Burrel, 10 km radha e automjeteve

Aksi nacional Klos–Burrel është bllokuar prej më shumë se dy orësh si pasojë e shembjes së një kanali. Sasi të mëdha balte dhe inertesh kanë përfunduar në asfalt, duke e bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve.

Radhët e automjeteve nga të dyja krahët kanë arritur deri në 10 kilometra. Mes mjeteve të bllokuara raportohet edhe një ambulancë që po transportonte një të sëmurë drejt Tiranës. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për normalizimin e situatës.

Çahet argjinatura e lumit Drojë, dhjetëra banesa në rrezik përmbytje në Lezhë

Situata në Qarkun e Lezhës mbetet problematike, kryesisht në Bashkinë Kurbin. Argjinatura e lumit Drojë vijon të jetë e çarë, duke shkaktuar rritje të nivelit të ujit në fshatrat Adriatik, Golem dhe Patok të Njësisë Administrative Fushë-Kuqe.

Zona e Sanxhakut është ndër më të prekurat, ku uji ka hyrë edhe në disa banesa. Banorët raportojnë dëme të shumta në bujqësi dhe blegtori, ndërsa emergjente mbetet sigurimi i bazës ushqimore për gjënë e gjallë.

Gjatë natës janë raportuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike në hidrovoret e Drojës, Shellinzës dhe Tales, duke vështirësuar evadimin e ujërave. Në terren ndodhen edhe forcat e ushtrisë me mjete të rënda dhe lundruese për evakuim në rast nevoje.

Lumi Erzen del nga shtrati, qindra banorë të evakuuar në Durrës

Lumi Erzen ka dalë nga shtrati në zonën e Jubës, duke shkaktuar përmbytje të konsiderueshme. Në Bashkinë Durrës janë evakuuar gjithsej 667 banorë, ndërsa qindra të tjerë janë larguar drejt familjarëve ose janë sistemuar në hotele dhe qendra pushimi.

Janë dëmtuar rreth 500 metra argjinaturë në Katund të Ri dhe Sukth, ndërsa mbi 6 mijë hektarë tokë bujqësore janë përmbytur. Në terren janë angazhuar mbi 400 forca operacionale, mjete të rënda, gomone dhe pompa për menaxhimin e situatës.

Situatë e rënduar edhe në Krujë e Shijak, përmbytje dhe dëmtime në banesa

Në Bashkinë Krujë janë evakuuar 7 familje në Thumanë, ndërsa lumenjtë Gjole dhe Zezë kanë dalë nga shtrati duke përmbytur rreth 600 hektarë tokë bujqësore dhe duke dëmtuar 50 banesa.

Ndërkohë, në Bashkinë Shijak janë përmbytur 75 banesa dhe rreth 180 hektarë tokë bujqësore në zonat Xhafzotaj, Maminas, Gjepalaj dhe Fllakë. Disa akse rurale mbeten të bllokuara.

Lumi Devoll del nga shtrati, përmbyten mijëra hektarë tokë në Korçë

Në Qarkun e Korçës, çarja e argjinaturës së lumit Devoll ka përmbytur rreth 3,600 hektarë tokë bujqësore në fushën e Maliqit. Aksi rrugor Qafë Plloçë–Qukës vijon të jetë i bllokuar, ndërsa probleme raportohen edhe në disa rrugë fshatrash për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe batisjes së segmenteve rrugore.

Dibra mbulohet nga bor, vështirësi në qarkullim prej prezencës së akullit

Reshjet e borës kanë “pushtuar” zonat malore të Qarkut Dibër, duke sjellë vështirësi në qarkullim, veçanërisht në rrugët rurale. Probleme raportohen në Rrugën e Arbrit, aksin Fushë-Bulqizë–Maqellarë dhe në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Ostren. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin goma dimërore dhe të tregojnë kujdes maksimal.

Moti i keq, mbyllen për arsye sigurie 54 shkolla

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri me dije se për shkak të motit të keq, sot është pezulluar mësimi në 54 shkolla në rang vendi. Vendimi është marrë për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe mësuesve, kryesisht për shkak të vështirësive në transport dhe ngricave.

“Kemi qenë në kontakt në çdo orë në mënyrë kapilare me 1510 shkollat e Shqipërisë në sistemin parauniversitar. Në raportimin e fundit mes orës 07:00-08:00 sot, situata është: Në Qarkun e Tiranës mësimi ka vijuar normalisht, në Qarkun e Durrësit kemi një ndërprerje në 12 shkolla. Po ashtu në qarqet Dibër, Lezhë, Shkodër mësimi ka nisur normalisht në të gjitha shkollat. Situata më problematike është në qarqet Gjirokastër, Vlorë dhe Fier ku kemi ndërprerje të kontrolluar të mësimit në 10 shkolla. Këtë e bëjmë për arsye sigurie, në radhë të parë për nxënësit, por edhe për ata mësues që duhet të bëjnë rrugë në zona më të thella. Në Bashkinë e Gjirokastrës, ditën e mërkurë kemi pasur një ndërprerje të mësimit jo sepse shkollat kishin probleme si objekte, por sepse prurjet e inerteve ishin kaq masive në rrugët e bashkisë, por situata u kthye në normalitet brenda pak orësh. Në qarqet Elbasan, Korçë, Berat janë rreth 32 shkolla ku sot është pezulluar mësimi, ku për shkak të ngricës kemi menduar të mos rrezikojmë as nxënësit dhe as mësuesit. Në total kemi 54 shkolla ku sot është ndërprerë mësimi, nga 1510 shkolla në gjithë vendin. E ndjekim në vazhdimësi situatën dhe raportimin e kemi çdo një orë”, u shpreh Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)