Vjosa del sërish nga shtrati, përmbytje në Mifol

Lumi Vjosë ka dalë sërish nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në zonën e Mifolit dhe përreth. Autoritetet i frikësohen mundësisë se situata mund të përkeqësohet më tej për shkak të prurjeve të shumta.

11.01.2026. 08:59

Vjosa del sërish nga shtrati, përmbytje në Mifol

Reshjet e dendura gjatë natës kanë sjellë sërish rritje të ndjeshme të prurjeve në lumin Vjosë, duke shkaktuar dalje të ujit nga shtrati në zonën e Urës së Mifolit.

Matjet e fundit tregojnë se niveli i lumit ka shënuar 7.45 metra, çka ka sjellë edhe njëherë përmbytje në tregun e Mifolit si dhe disa sipërfaqe përreth.

Gjendja paraqitet problematike edhe në pjesë të tjera të rrjedhës së Vjosës. Në Memaliaj, niveli i ujit ka arritur rreth 7 metra, ndërsa specialistët e fushës paralajmërojnë se ekziston mundësia që niveli të rritet ndjeshëm.

Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile janë në terren dhe po ndjekin zhvillimet hidrologjike. Banorët e zonave pranë lumit janë informuar për rrezikun dhe u është kërkuar të tregojnë kujdes maksimal, duke marrë masa për të mbrojtur banesat dhe bagëtitë.

Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme pranë shtratit të lumit dhe të informohen vetëm nga burime zyrtare, pasi situata mbetet dinamike dhe mund të ndryshojë në orët në vijim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)