FBI trajnon trupën e SPAK dhe BKH, VanHorn: Prioritetet e Trump do ndiqen edhe në Shqipëri!

Ambasada Amerikane në Tiranë thekson se se do të ndjekë me këmbëngulje prioritetet e presidentit Donald Trump në Shqipëri, ndërsa e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn vë theksin tek forcimi i institucioneve që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve, si SPAK, BKH e Akademia e Sigurisë.

16.01.2026. 13:32

FBI trajnon trupën e SPAK dhe BKH, VanHorn: Prioritetet e Trump do ndiqen edhe në Shqipëri!

Me citime të Presidentit Donald Trump dhe Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, e përcolli mesazhin e saj në përmbyllje të trajnimit të udhëhequr nga FBI për hetuesit e SPAK dhe BKH-së, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn.

“Kushdo që ndjek Ambasadën e Shteteve të Bashkuara këtu në Shqipëri e di se lufta e krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve janë përparësi kryesore për ne. Dhe kur Presidenti Trump bëri thirrje për eliminimin e plotë të krimit të organizuar ndërkombëtar, ai nënvizoi se këta kriminelë përdorin sjellje “të ndërlikuara të përshtatjes”, duke krijuar kërcënime të pazakonta dhe në zhvillim për sigurinë tonë kombëtare. Dhe siç tha Sekretari Rubio, organizatat ndërkombëtare kriminale dhe terroriste, veçanërisht ato të angazhuara në trafikimin e narkotikëve, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore, ku këto grupe po destabilizojnë shtet-kombet dhe po i çojnë në emigrim masiv”, tha VanHorn.

Nga ceremonia që u zhvillua në Akademinë e Sigurisë, VanHorn nënvizoi se ambasada do të jetë e angazhuar në ndjekjen me këmbëngulje të prioriteteve të Presidentit Trump edhe për Shqipërinë, duke vijuar forcimin e institucioneve që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve.

“Ne do të ndjekim me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë. Rrjetet kriminale, përfshirë grupet shqiptare që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës Latine të përmendura nga Sekretari Rubio, përbëjnë kërcënime të konsiderueshme për sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë përmes aktiviteteve si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave. Sikurse e keni parë përmes këtij kursi, këto krime po mundësohen nga teknologjitë moderne”, theksoi ajo.

Më tej VanHorn paralajmëroi hetime të reja duke shfrytëzuar edhe teknologjinë e ngjashme me FBI-në amerikane, nga ana e SPAK dhe BKH-së. Sipas saj ky trajnim do të shërbejë për goditje më të ashpra ndaj krimi të organizuar shqiptar dhe dënime më të rënda.

“Përmes këtij trajnimi, ju tani keni mjete të reja hetimore dhe aftësi analitike për të shfrytëzuar të dhënat celulare në hetimet penale. Kjo përmirëson hetimet tuaja, duke siguruar gjithashtu respektimin e standardeve më të larta ligjore dhe etike. Dhe ju tani keni pajisje dhe aftësi të reja për hetime të përmirësuara që do të çojnë në më shumë ndjekje penale dhe dënime më të forta të pjesëtarëve të krimit të organizuar. Faleminderit Rektor Mandro, Kryeprokuror i Posaçëm Braho dhe Drejtor Keta që na jeni bashkuar për të shënuar përfundimin e këtij trajnimi të rëndësishëm. Dhe dua të falënderoj gjithashtu kolegët tanë të FBI-së Brendan Collins dhe Kala, është kënaqësi t’ju shoh përsëri, Joe Danneff nga Ekipi i FBI-së për Mbikëqyrjen e Analizës së Celularëve, të cilët ndanë ekspertizën e tyre”, deklaroi Van Horn.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)