Kryeministri Edi Rama njoftoi nga takimi me kryebashkiakët, ngritjen e një flote të dedikuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e infrastrukturës kulluese, në kuadër të masave për përballimin e përmbytjeve.
Rama u shpreh se ngritja e flotës është propozuar nga Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, dhe ka marrë pëlqimin e kreut të ekzekutivit, ku për blerjen e mjeteve do të përdoret një fond prej 20 milionë eurosh, i siguruar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Një tjetër element që ndikon është niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse, kanaleve dhe hidrovoreve. Ky nivel është rritur në mënyrë domethënëse në 10 vitet e fundit, por analiza e bërë edhe nga kjo emergjencë tregon se ka pika ku rezistenca është më e dobët. Për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturën mbrojtëse dhe për të fuqizuar ndërveprimin mes pushtetit vendor dhe atij qendror”, u shpreh Rama.
Duke folur për flotën e re, Rama sqaroi se ajo do të jetë në dispozicion të bashkive dhe do të përdoret sipas nevojave konkrete, veçanërisht në raste emergjencash.
“Me një fond të siguruar nga miqtë tanë të Emirateve Arabe prej 20 milionë eurosh, do të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që do të vendosen në shërbim të kullimit dhe pastrimit të kanaleve kulluese kryesore”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, flota do të mund të përqendrojë forca shtesë në zonat ku shfaqen situata emergjente, ndërsa në ditët normale të punës do të shërbejë si kapacitet i shtuar për të gjitha bashkitë.
“Kjo do t’i bëjë bashkitë më të gatshme për të përballuar emergjencat dhe për të adresuar në mënyrë të vazhdueshme problematikat e kanaleve kulluese dhe argjinaturave”, përfundoi shefi i qeverisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)