Pesë efektivë policie në katër qytete të ndryshme janë pezulluar nga detyra për vepra të ndryshme, që lidhen me rryshfetin, përplasjen me armë apo edhe përdorimin e lëndëve narkotike. Nëpërmjet një reagimi zyrtar, Policia e Shtetit njoftoi masën ndaj efektivëve, duke nisur nga inspektorët e Fierit me inicialet Sh. Ç. dhe I. L.
Ata janë pezulluar për “Kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë imazhin e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”, pasi në “shkelje të rëndë” janë filmuar duke marrë ryshfet nga një drejtues automjeti, i cili ofroi para për të shmangur gjobën. Video qarkulloi në rrjetet sociale.
Mes masave të tjera, është pezullimi i inspektorit të policisë së Lezhës me inicialet B. K., i cili më datë 02.02.2026 është ndaluar me urdhër të Prokurorit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrilë të Lezhës. Në atë rast, ai ka shkrepur 10 herë armën gjatë atentatit në një berberhane, pas konfliktit të tre të rinjve, që kanë lidhje fisnore me ish-deputetin Arben Ndoka dhe nipit të biznesmenit të vrarë në Shëngjin, Ardjan Nikulaj.
Gjithashtu janë pezulluar edhe dy inspektorë në Mat dhe në Krujë. I pari dyshohet për përdorimin e lëndëve narkotike, ndërsa i dyti dyshohet për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)