Pas rrugës, rrëshqitjet e dheut në Librazhd shkatërrojnë hekurudhën dhe një shtyllë të tensionit të lartë

Janë regjistruar zhvendosje të shinave, në afërsi të lumit. Deformimi është aq i ndjeshëm, sa praktikisht e ka shkatërruar linjën ekzistuese hekurudhore Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Gur i Kuq.

22.02.2026. 22:28

Pas rrugës, rrëshqitjet e dheut në Librazhd shkatërrojnë hekurudhën dhe një shtyllë të tensionit të lartë

Rrëshqitjet e tokës në Librazhd kanë bërë që situata të paraqitet katastrofike. Përveç aksit rrugor Librazhd-Pogradec, prishja e të cilës shkaktoi kaos duke bllokuar qarkullimin dhe mijëra qytetarë, shkatërrimi ka prekur edhe pjesë të tjera të infrastrukturës.

Rrëshqitjet e regjistruara te “Arrat e Gurrës” në Dragostunjë të Librazhdit kanë shkatërruar edhe linjën hekurudhore në këtë zonë. Më specifikisht në segmentin Librazhd-Xhyrë janë regjistruar zhvendosje të shinave, në afërsi të lumit. Deformimi është aq i ndjeshëm, sa praktikisht e ka shkatërruar linjën ekzistuese hekurudhore Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Gur i Kuq.

Gjithashtu, rrëshqitja e dheut ka prekur edhe infrastrukturën e energjisë elektrike. Sipas raportimeve nga terreni, po në zonën “Arrat e Gurrës” është prekur edhe një shtyllë e tensionit të lartë 110 kilovolt. Struktura rrezikon shembjen dhe autoritetet përgjegjëse njoftuan heqjen e energjisë elektrike, pasi shtylla që rrezikon shembjen do të hiqet.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)