Bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec, ARRSH: S’ka ende afat për rihapjen e rrugës

Rrëshqitjet masive të dheut në segmentin Librazhd-Përrenjas, në zonën e njohur si “Arrat e Gurres”, kanë bllokuar një nga akset kryesore që lidh juglindjen e vendit me pjesën tjetër të Shqipërisë.

25.02.2026. 14:53

Bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec, ARRSH: S’ka ende afat për rihapjen e rrugës

Rrëshqitjet masive të dheut në segmentin Librazhd-Përrenjas, në zonën e njohur si “Arrat e Gurres”, kanë bllokuar një nga akset kryesore që lidh juglindjen e vendit me pjesën tjetër të Shqipërisë, duke krijuar vështirësi të shumta prej ditësh për qarkullimin e mjeteve dhe transportin e mallrave.

Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Indrit Koleci, deklaroi se aktualisht nuk mund të jepet një afat i saktë për hapjen e plotë të rrugës, pasi situata mbetet komplekse dhe po kryhen studime të detajuara në terren.

“Afate nuk mund të themi, pasi kemi bërë relevim të zonës së poshtme të lumit. Kemi bërë një rilevim të shtratit të lumit. Vazhdojmë studimet në pjesën e sipërme për stabilizimin e masës së rrëshqitjes. Afate s’mund t’ju themi pasi janë volume të konsiderueshme,” u shpreh Koleci.

Sipas tij, brenda 3-4 ditëve pritet të ketë një vlerësim më të qartë mbi kohëzgjatjen e ndërhyrjes dhe një afat paraprak për përfundimin e punimeve.

Ndërkohë, autoritetet theksojnë se do të vijojnë masat e përkohshme dhe orientimi i qytetarëve drejt akseve alternative, deri në stabilizimin e plotë të segmentit të dëmtuar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)