Problematikat me infrastrukturën rrugore vijojnë të krijojnë vështirësi në disa zona të vendit. Së fundmi, është dëmtuar rëndë aksi nacional që lidh Skraparin me Përmetin, duke shkaktuar bllokim të përkohshëm të qarkullimit.
Sipas informacioneve nga terreni, asfalti i rrugës është çarë në mes dhe në një segment të konsiderueshëm është shembur, duke e bërë të pakalueshëm për automjetet.
Dëmtimi ka ndodhur në fshatin Rog-Çepan, në afërsi të Përmetit, ku terreni malor dhe reshjet e fundit dyshohet se kanë ndikuar në destabilizimin e trupit të rrugës.
Ndërkohë, prej rreth tre orësh raportohet se është bllokuar hyrja në qytetin e Skrapar, për shkak të rrëshqitjes së masivëve shkëmborë në fshatin Buzuq.
Gurë dhe inerte kanë përfunduar në rrugë, duke penguar qarkullimin e mjeteve.
Në zonë ndodhen forca dhe mjete për pastrimin e aksit, ndërsa po punohet për largimin e gurëve dhe rikthimin e qarkullimit normal.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet në këtë segment deri në stabilizimin e situatës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)