Aksi Librazhd- Pogradec, ARRSH nis ndërhyrjen emergjente. Punime dhe në Llogara

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se ka nisur punën në disa fronte në aksin rrugor Librazhd- Pogradec, si me sistemimin e shtratit të Shkumbinit dhe me studimin gjeologjik të zonës.

26.02.2026. 09:35

Aksi Librazhd- Pogradec, ARRSH nis ndërhyrjen emergjente. Punime dhe në Llogara

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se ka nisur punën në disa fronte në aksin rrugor Librazhd- Pogradec, si me sistemimin e shtratit të Shkumbinit dhe me studimin gjeologjik të zonës.

"Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punën me intensitet të lartë në disa fronte, me synim zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës së krijuar. Aktualisht po punohet për heqjen e masave të dherave në të dy anët e rrugës ekzistuese, me qëllim hapjen e terrenit ku do të vendosen sondat për realizimin e studimit të detajuar gjeologjik dhe për vlerësimin teknik të zonës pas rrëshqitjes. Paralelisht, me një mobilizim të shtuar të mjeteve të rënda, kanë nisur punimet për sistemimin e rrjedhës së lumit Shkumbin. Rrjedha po orientohet në krahun e majtë, për të krijuar hapësirën e nevojshme për ndërtimin e një rruge alternative përgjatë linjës hekurudhore. Pas përfundimit të studimit gjeologjik, do të kryhet ripunimi i projektit të zbatimit për aksin e ri rrugor Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë", bën të ditur ARRSH.

Ndërkohë në Llogara do të kryhet një shpërthim i kontrolluar me eksploziv për të hapur trasenë e rrugës. 

"Në vijim të punimeve për ndërtimin e segmentit rrugor të rrugëve lidhëse të Llogarasë, siç kemi bërë me dije edhe më parë, ditën e sotme, në orën 12:00, 1150 ml nga dalja e tunelit të Llogarasë, në drejtim të Palasës, është parashikuar të kryhet një shpërthim i kontrolluar me sasi të vogla eksplozivi, në funksion të hapjes së trasese së rrugës, pa penguar trafikun. Punimet janë koordinuar me Policinë e Shtetit, me qëllim menaxhimin dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit të mjeteve gjatë këtij procesi", bën të ditur ARRSH.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)