Në takimin konsultues që pati me sipërmarrës ku i informoi për nisjen e implementimit të paketës së “Paqes Fiskale” nga 1 janari dhe i ftoi të përfitojnë prej këtij ligji, kryeministri Edi Rama pati edhe një përplasje me një nga ndërtuesit që ndodhej në sallë.
Teksa ndërtuesi e pyeti nëse qeveria do t’i mbështesë edhe sipërmarrësit e këtij sektori përmes një paqeje të ngjashme me atë fiskale, Rama u tregua i prerë duke thënë: “Paqe për standardet me ndërtuesit nuk ka”.
Madje kaq mjaftoi që kreu i ekzekutivit t’i paralajmëronte ata se janë në lupën e qeverisë. “Ju më keni mbrapa këmba, këmbës. Mua dhe gjithë ata që varen nga unë. Dakord?!”, iu drejtua Rama, sipërmarrësit të fushës së ndërtimit, i cili nuk u ndal por kërkoi një paqe të pjesshme nga qeveria.
“Tek ajo pjesërisht fute mirë në mëndje. Paqe me ndërtuesit nuk ka pikërisht se jeni sektor kryesor. Ça mbështetje doni ju?”, ia ktheu Rama.
Kryeministri më pas ashpërsoi tonet duke akuzuar ndërtuesit se i shmangen Tatimeve duke deklaruar paga minimale për punonjësit në këtë sektor.
“E para e punës, mbështetje ju që akoma deklaroni punonjës me 500 mijë lekë kur e dimë shumë mirë dhe ti dhe unë, dhe jam i bindur po të pyesim peshqit e Liqenit Artificial do na e konfirmojnë, që nuk ekzistojnë punonjës ndërtimi me 500 mijë lekë në ndërtim, jo në Tiranë po askund. Nuk të vjen të shtrojë as një pllakë në banjë robi për 500 mijë lekë. Nuk e keni fajin ju se na i ka lidhur duart Gjykata Kushtetuese para ca vitesh që nuk ju vendosim dot tavan dhe vazhdoni lozni ju. Jeni sektori me më shumë fitim në Shqipëri, jeni sektori ku shfrytëzohen punonjësit më shumë se në çdo sektor tjetër në Shqipëri. Dhe tani, pak si vonë e keni kuptuar që s’duhet tallur me punonjësit se ngelni pa ta. Tani shkundini mirë ato xhepa dhe paguajini punonjësit dhe 1500 dhe 2000 euro se do ngeleni dhe më keq. Ça mbështetje t’u japim ne juve. Bëni ato gjërat që keni për të bërë dhe jepuni njerëzve atë që ju takon dhe mos kërkoni fare, fare asgjë, zero. Kërkoni që vetëm të mos jeni në listën e zezë”, paralajmëroi Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)