“Shqipëria e pavarur në prodhimin e energjisë”, Rama në parkun eolik të Tropojës

Shoqërohej nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila theksoi se investimet e viteve të fundit arrijnë vlerën mbi 1,5 miliardë euro.

12.01.2026. 14:21

“Shqipëria e pavarur në prodhimin e energjisë”, Rama në parkun eolik të Tropojës

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte i pranishëm në parkun e ri eolik të Tropojës. Ai e vendosi theksin te rëndësia strategjike e këtij projekti, për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, por mbi të gjitha sepse Shqipëria synon të bëhet plotësisht e pavarur në prodhimin e energjisë.

“Me kompaninë e mirënjohur amerikane, finalizojmë një përpjekje afro 2-vjeçare. Procesi parapërgatitor natyrisht që është më i shkurtër se procesi i ndërtimit. Shpresojmë që për 12 muaj, ky park i madh energjitik i erës në Tropojë, të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme”, tha Rama.

“Po i vjen fundi kohës kur Shqipëria duhej të dilte në treg për të blerë energji. Kemi një portofol që ka nisur të diversifikohet, ku edhe pse uji do të mbetet burim kryesor i prodhimit, edhe energjia e diellit dhe e erës po zënë vendin e tyre. Për shumë kohë kemi pasur varësi nga reshjet e shiut dhe kemi blerë energji me çmime të kripura”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e vendosi theksin te investimet private në sektorin e energjisë, që sipas saj kalojnë shifrën e 1,5 miliardë eurove. “Kemi një portofol projektesh, që në vitet e ardhshme pritet të çojë kapacitetet e reja prodhuese të rinovueshme të vendit më tej se 1 500 MËh me teknologji fotovoltaike dhe eolike. Po ndërtojmë themelet e një sistemi energjitik i cili do u shërbejë brezave të ardhshëm, që ka në qendër qëndrueshmërinë, furnizon ekonominë dhe na afron sa më shumë me BE-në”, tha Balluku.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)