Ish-presidenti Ilir Meta pritet të paraqitet nesër në orën 10:00, në Prokurorinë e Posaçme, ku do të japë dëshminë e tij lidhur me protestën e 21 janarit 2011 dhe ngjarjet e dhunshme që e pasuan tubimin, ku humbën jetën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” edhe 4 qytetarë.
Meta i është drejtuar vetë SPAK-ut me kërkesë për t’u thirrur, duke deklaruar se, për shkak të funksioneve shtetërore që ka mbajtur ndër vite, disponon informacione që mund të ndihmojnë hetimin e kësaj çështjeje.
Në kuadër të hetimeve për dosjen e 21 Janarit, SPAK ka marrë më herët dëshmitë e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-presidentit Bamir Topi, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe dhjetëra zyrtarëve të tjerë.
Kujtojmë se avokati i Metës, Kujtim Cakrani më herët ka deklaruar për mediat se klienti i tij posedon prova odhe materiale audio për rastin e “21 Janarit”, ndaj ka kërkuar që të thirret nga prokurorët në cilësinë e dëshmitarit për këtë çështje.
Sipas deklaratës së Cakranit, bërë 24 orë pasi Meta kërkoi që të pyetej në cilësinë e personit që ka dijeni mbi “21 Janarin", nëse klienti i tij dëshmon do të zbardhet plotësisht ngjarja.
Ngjarja e 21 janarit 2011 mbetet një nga episodet më të rënda të dhunës politike në vend. Gjatë protestës së organizuar nga opozita e kohës, para godinës së Kryeministrisë mbetën të vrarë katër protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)