Zhdukja e verës së Ergys Agasit, Berisha: Edi Rama mori mallin e vet

Sali Berisha ka akuzuar direkt Edi Ramën se fshihet pas zhdukjes së verës në pronën e Ergys Agasit. Sipas kreut të demokratëve kjo verë koleksionistësh dhe shumë e shtrenjtë i përkiste kryeministrit.

21.12.2025. 21:01

Zhdukja e verës së Ergys Agasit, Berisha: Edi Rama mori mallin e vet

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar ashpër në lidhje me lajmin për zhdukjen e sasisë së verës së shtrenjtë në pronën e të shpallurit në kërkim Ergys Agasit.

Berisha shkruan se kjo verë me vlerë 4 milionë euro u hoq nga një komando personash të inkriminuar, të drejtuar nga policia e shtetit, dhe u zëvendësua me shishe të tjera, jo me të njëjtën vlerë.

‘Zhduken, vidhen nga vinoteka e Gys Agasit shishet e verës 70 vjeçare, madje edhe të vitit 1920 që kushtonin 4 milionë euro apo 33-40 mijë euro.

Vinoteka u zbulua nga kontrolli i befasishëm BKH-së në Vilën e Agasit. Thuhet se Agasi kishte vendosur aty pllakën “Vinoteka e Edit”! Nga kontrolli i BKH-së shishet të gjitha rezultonin të futura kontrabandë pa pullat fiskale. Meqenëse ata ishin mall kontrabandë u ngarkua dogana dhe tatimet e Tiranës t’i merrnin në roje ato si ç’veprohet në rastset e mallrave kontrabandë.

Por sipas qytetarit dixhital nën kujdesin e drejtorit të doganës së Tiranës, drejtorit të përgjithshëm të policisë Proda një komando e përbërë nga Elvis Doçi, Suel Çela dhe dy persona të tjerë të gjitha shishet e verës u ngarkuan në pesë kamionë të cilët sipas kamerave u transportuan drejt Linxës.

Ndërkohë në kantinë u vendosën 1200 shishe vere me etiketë jo Romanee Conti, por tjetër dhe që të gjitha me pulla fiskale.

Pra kemi të bëjmë me një vjedhje të mirëfilltë shtetërore. Kështu pronari i vërtetë Edi Rama duket se mori mallin e vetë të futur kontrabandë prej 4 milionë euro. Kurse Gysi shpëtoi nga vepra penale e kontrabandës së mallrave të akcizës. Ky është narkoshteti apo shteti kriminel në çdo veprim, në çdo lëvizje në çdo segment”, shkruan Berisha.

Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër për shpalljen në kërkim të Eno Agasit, i njohur si djali i xhaxhait të Ergys Agasit, pas dyshimeve për pengim të veprimeve hetimore. Me kërkesë të prokurorit Bledar Valikaj, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Agasit, por urdhri ende nuk është ekzekutuar, pasi ai nuk është gjetur.

Sipas burimeve zyrtare, Eno Agasi dyshohet se ka ndërhyrë në inventarizimin e një koleksioni verërash të shtrenjta, i cili u zbulua gjatë kontrolleve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në pronën e Ergys Agasit, person i cili është shpallur në kërkim nga SPAK.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)