Ish-ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka është paraqitur në SPAK këtë të martë. Ende nuk dihet arsyeja përse deputetja socialiste ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme, por më parë ndaj saj dhe bashkëshortit, ish-deputetit Artan Gaçi janë ngritur nga opozita akuza për privatizim të paligjshëm të pronave në Himarë ku do ndërtohej një resort turistik.
Ndërkohë, më 25 prill të këtij viti SPAK ankimoi vendimin në Apelin e Posaçëm, pasi shkalla e parë e GJKKO urdhëroi Prokurorinë e Posaçme që të regjistronte procedim penal për ish-ministren dhe për bashkëshortin e saj.
SPAK argumentoi asokohe se kanë kryer veprime të shumta hetimore, të cilat kanë konsistuar ndër të tjera edhe në veprimtarinë e kryer nga shtetasi Artan Gaçi në kuadër të bashkëpunimit të supozuar apo dhe qoftë dijenisë së tij rreth ekzistencës së dokumenteve të falsifikuara, nëpërmjet të cilëve është përfituar edhe toka e llojit truall.
Organi i akuzës ndër të tjera sqaroi se asnjë e dhënë e sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiksuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë Olta Xhaçka.
Në ankimin që SPAK depozitoi në shkallën e dytë të gjyqësorit, thuhej se çështja e hetuar më herët nga prokuroria ka kaluar në filtrin e Gjykatës së Posaçme gjatë gjykimit të çështjes penale nr 189/2023 në seancë paraprake.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)